Staf infermieror i specializuar që i përgjigjet të gjitha emergjencave dhe di të menaxhojë çdo situatë, një kulturë pune në ekip që mbështet dhe përkrah rolin e infermierit, mundësi për të zhvilluar më tej aftësitë profesionale dhe përmirësuar proceset praktike janë disa nga objektivat e programit të përkrahjes dhe zhvillimit profesional të infermierëve që ka nisur në disa prej shërbimeve të QSUT.
“Në shërbimin tonë këto trajnime kanë filluar gjatë muajit mars. Temat përgatiten nga kryeinfermierja, por edhe nga vete infermieret ku secila sjell temën që ka përzgjedhur, diskuton mbi sëmundjen dhe asistencën infermieristike në çdo rast. Duke i përgatitur vetë këto tema infermieret ndihen më të ndërgjegjesuara. Ato kryejnë kërkime dhe janë më të përfshira dhe interesuara”, shprehet kryeinfermierja e Shërbimit të Onkohematologjisë Pediatrike, Shqiponja Rama.
Programi parashikon zhvillimin e përmuajshëm të këtyre takimeve ku diskutohen diagnozat në shërbim, tipi i asistencës infermieristike të specializuar që plotëson kriteret sipas nevojave, tema mbi njohuri të përgjithshme me të cilat duhet të jetë i pajisur çdo infermier duke nënvizuar rolin kyç të tij për sigurimin e mbarëvajtjes së punës.
Kryeinfermierja e Shërbimit të Onkohematologjisë Pediatrike, shprehet se trajnimi i kësaj jave mbi përdorimin dhe menaxhimin e aparaturave ka rëndësi praktike. “Vlerësuam me rëndësi që të gjitha infermieret të dinë të përdorin sa më mirë aparaturat që janë shumë të nevojshme dhe na lehtësojnë punën e përditshme.”, thotë ajo. Trajnimi, mbi përdorimin e aparaturave si Monitori (vendosja e elektrodave, matja e presionit, matja e Spo2, e frekuencës respiratore etj.), shiringa elektrike, perfuzori, aparati i aerosolit etj, synoi gjithashtu përditësimin e njohurive mbi mirëmbajtjen e tyre pas përdorimit.
Kjo qajse e re synon të aftësojë profesionalisht stafin infermieror, ta pajisë atë me njohuritë dhe motivimin e duhur duke ndikuar direkt shërbimin që i ofrohet pacientit dhe marrëdhënien mes tij dhe pacientit apo familjarit të pacientit.