Qendra e Konsultave Ambulatore

Të nderuar qytetarë,

Ju mund të merrni shërbime mjekësore ambulatore pranë Qendrës së Konsultave Ambulatore (QKA) në QSU “Nënë Tereza” (QSUNT), çdo ditë nga e Hëna në të Premte sa më poshtë:

  1. Orari i konsultave 10:00 – 14:00,
  2. Orari i analizave 8:00 – 11.00.

SI TË REZERVONI KONSULTËN TUAJ:

  1. Nëpërmjet sistemit e-referim, në zbatim të të cilit fillimisht duhet të paraqiteni tek Mjeku i Familjes në Qendrën tuaj Shëndetësore, i cili sipas vlerësimit të tij mjekësor, ju orienton ose jo tek Mjeku Specialist. Mjeku Specialist, sipas vlerësimit të tij mjekësor, ju pajis ose jo me rekomandimin për të kryer konsultë të specializuar pranë Qendrës së Konsultave Ambulatore në QSUNT. Në rast se mjeku i familjes apo mjeku specialist nuk vlerëson nevojën për konsultë të specializuar, ky i fundit nuk lëshon rekomandim për konsultë në QSUNT.
  1. Ju mund të paraqiteni në zyrën e informacionit pranë Qendrës së Konsultave Ambulatore. Kjo mënyrë rekomandohet për marrjen e shërbimit për pacientët kronikë, të cilët në përfundim të konsultës me mjekun specialist të QSUNT, mund të rezervojë konsultën pasardhëse në zyrën e informacionit; që ndodhet në katin e parë të Qendrës së Konsultave Ambulatore.

ÇFARË DUHET TË KENI ME VETE PËR KONSULTËN NË QKA:

  1. Rekomandimin e Mjekut Specialist, me të gjitha informacionet mjekësore të lidhura me sëmundjen, rezultatet e ekzaminimeve të kryera, mjekimet e përdorura, sëmundjet shoqëruese, etj.

ose

  1. Rekomandimin e brendshëm ose Fletëdaljen (epikrizën e daljes nga QSUNT) dokumentacion i cili i jep të drejtën pacientit që ka qënë së fundmi i shtruar në QSUNT për të kryer rikontrollin e pare në Qendrën e Konsultave Ambulatore, pa qenë nevoja e marrjes së Rekomandimit te Mjeku Specialist.

ÇFARË DUHET TË KETË NJË REKOMANDIM PËR TË QËNË I VLEFSHËM

  1. Rekomandimi duhet të përmbajë:
    1. Vulën e Mjekut Specialist të Poliklinikës apo Spitalit të rrethit.
    2. Vulën e Qendrës Shëndetësore ose vulën e Spitalit Rajonal (për rrethet).

Nëse Qendra Shëndetësore nga vjen pacienti, nuk ka Mjek Specialist për shërbimin e kërkuar, kjo duhet specifikuar në Rekomandim nga Mjeku i Familjes, shoqëruar me vulën e Mjekut të Familjes.

  1. Kodin e e-referimit të marrë nga mjeku I Qendrës Shëndetësore apo në zyrën e informacionit të Qendrës së Konsultave Ambulatore. Kodi përmban3 gërm adhe 2 numra (shembull A1B2C) dhe i referohet dates dhe orarit të konsultës.

PËR PACIENTËT QË PARAQITEN PËR KONSULTË PËR MARRJEN E ILAÇEVE TË RIMBURSUESHME

Pacientët duhet të jenë të pajisur me rekomandimin e mjekut specialist të Qendrës Shëndetësore apo Spitalit Rajonal të rrethit.

Rekomandimi duhet të përmbaj kodin e e-referimit për shërbimin përkatës, në të cilin është përcaktuar data dhe orari i konsultës.

Rekomandimi duhet të përmbajë vulën e Mjekut  Specialist dhe vulën e Qendrës Shëndetësore/Spitalit.Nëse Qendra Shëndetësore nga vjen pacienti, nuk ka Mjek Specialist për shërbimin e kërkuar, kjo duhet specifikuar në Rekomandim nga Mjeku i Familjes, shoqëruar me vulën e Mjekut të Familjes.

Pacientët duhet të kenë me vete ekzaminime të kryera paraprakisht në Qendrën Shëndetësore/Spitalin e rrethit përkatës.

Nëse pacienti e ka të pamundur nga ana shëndetësore për tu paraqitur vetë në konsultë, kjo pamundësi duhet të shprehet në Rekomandim nga mjeku specialist shoqëruar me vulën e mjekut specialist dhe në vend të tij paraqitet familjari i autorizuar.

Pas konsultës me mjekun në QSUNT, pacienti pajiset me recetën për ilaçet e rimbursueshme me vulën e mjekut të QSUNT dhe vulën e Qendrës të Konsultave Ambulatore.

Kur pacientit i rekomandohet një bar (ilaç) i Listës së Barnave që Rimbursohen nga FSDKSH, atëherë pacienti drejtohet tek Mjeku i Familjes në Qëndrën Shëndetësore të rrethit e më pas në Farmacitë që kanë kontratë me FSDKSH për tërheqjen e barnave të rimbursueshme.

PËR PACIENTËT QË MARRIN BARNA TË RIMBURSUESHME PRANË FARMACISË SË RIMBURSIMIT NË QSU”NËNË TEREZA”:

Pacientët duhet të kenë bërë konsultën me mjekun specialist të QSUNT, i cili i jep recetën elektronike të gjeneruar nga sistemi“e-barna”.

Pacienti me recetën elektronike, duhet të paraqitet pranë zyrës së DAPSHET (Drejtoria e Administrimit të Paketave Shëndetësore dhe Ekzaminimeve Terciare) pranë QKA-s, të cilët bëjnë verifikimet e duhura dhe e vulosin atë.

Më pas pacienti me recetën elektronike të vulosur dhe kartën e identitetit, paraqitet në Farmacinë e Barnave të Rimbursueshme për të tërhequr barin e përshkruar në recetë.

 

PËR PACIENTËT QË REFEROHEN PËR SHTRIM NË QSU”NËNË TEREZA”:

Kur pacientët të cilët bëjnë konsultë pranë QKA-s, kanë rekomandim për shtrim në QSUNT, ata duhet të pajisen me Recetën Ambulatore (Receta e Kuqe), në të cilën shënohet data e shtrimit të planifikuar.

Nëse pacientit i rekomandohet një ndërhyrje operatore, ai duhet të kryejë edhe konsultën me mjekun anestezist.Në këtë rast, data e shtrimit i komunikohet pacientit nga shërbimi mjekësor,ku pacienti do tështrohet.

Në ditën kur është caktuar shtrimi, pacientët duhet të paraqiten prej orës 8.00-9.30 pranë shërbimit mjekësor ku do të bëhet shtrimi, me dokumentacionin përkatës:

  1. Kartën e Identitetit.
  2. Rekomandimin e brendshëm të marrë në QKA,
  3. Recetën Ambulatore (Recetën e Kuqe të lëshuar nga QKA) ,
  4. Ekzaminimet që ka kryer,
  5. Të jetë përgatitur për shtrim sipas rekomandimeve të mjekut (këshillat rreth ushqyrjes, përgatitjes psikologjike, higjiena personale, përgatitja e traktit tretës kur rekomandohet, etj).