Drejtoresha e Përgjithshme e QSUT “Nënë Tereza”, znj. Ogerta Manastirliu priti në një takim pune, Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) për Divizionin e Europës Lindore, z. Manesa Peter Salema si dhe znj. Alesia Rodriugez, oficere e projekteve të IAEA me QSUT.
Në këtë takim ishin të pranishëm, Prof. Agim Sallaku, Shef i shërbimit të Onkologjisë, Prof. Agron Ylli, Shef i shërbimit të Endokrinologjisë dhe Mjekësisë Bërthamore dhe znj. Elida Bylyku, Drejtoresha e Institutit të Fizikës Bërthamore.
Gjatë takimit u diskutua vazhdimësia e projekteve të nisura, që QSUT ka me IAEA, një ndër të cilat është mbërritja gjatë vitit të ardhshëm e “SPECT”, pajisje e avancuar dhe unikale për vendin tonë, e cila kryen diagnostikime më cilësore dhe të avancuara për të gjitha llojet e sëmundjeve. Kjo pajisje pritet të vihet në punë në vitin 2015 dhe do të ndihmojë në rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj pacientëve, duke zbuluar sëmundjet tumorale në stade të hershme si dhe ndjekjen e tyre.
Theks i veçantë gjatë bisedimeve, u vu mbi rritjen e cilësisë së shërbimit të Radioterapisë dhe Mjekësisë Nukleare, ku përfshihet edhe trajnimi i stafit mjekësor dhe fizikanëve, të cilët merren me planet e trajtimit, sigurinë e rrezatimit si dhe kalibrimin e pajisjeve që prodhojnë rrezatim jonizues.
Gjithashtu, IAEA do të japë mbështetje nëpërmjet auditëve dhe ekspertëve për komisionimin e akseleratorit të dytë linear që do të montohet në QSUT gjatë vitit 2015.