Programi i Integruar i Telemjekësisë dhe Shëndetit Elektronik në Shqipëri, i financuar nga USAID, ka organizuar në qytetin e Korçës në datat 7-8 Prill, seminarin vjetor të Zhvillimit të Lidershipit Shqiptar të Telemjeksisë dhe Shëndetit Elektronik (Annual Albanian Telemedicine and e-Health Leadership Development Seminar). Në këtë program të (e-health) teknologjisë shëndetësore marrin pjesë rreth 14 shërbime mjekësore që ofrohen nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, me qëllim për t’u shfrytëzuar mundësitë jo vetëm në rastin e konsultave me anë të Telemjekësisë për raste që kërkojnë mendimin e specialistit përpara transferimit, por dhe për edukimin në vazhdim të mjekëve në Spitalet Rajonale, duke u bërë pjesë e stafeve të përjavshme që organizohen nga shërbimet e QSUT falë teknologjisë.
Në bazë të Urdhërit të Ministrit të Shëndetësisë, Nr.661, Dt.06/12/2013 “Për Shfrytëzimin e Rrjetit të Telemjekësisë për të konsultuar paraprakisht, transferimin e pacientëve drejt spitaleve terciare”, Drejtoria e QSUT mori masat për zbatimin e këtij urdhri, nëpërmjet shkresave drejtuar shefave të shërbimit.
Në fjalën e saj, falë teknologjisë së avancuar të Telemedicinës, drejtoresha e QSUT, znj.Ogerta Manastirliu përshëndeti pjesëmarrësit e seminarit në Korçë nga Qendra e Telemjekësisë shqiptare në kryeqytet. Znj. Manastirliu u shpreh se “Në këtë program të (e-health) teknologjisë shëndetësore, marrin pjesë rreth 14 shërbime mjekësore që ofrohen nga Qendra Spitalore Universitare “ Nënë Tereza”, por faktikisht janë përfshirë të gjitha shërbimet e QSUT. Një mundësi për t’u shfrytëzuar dhe për t’u bërë pjesë e ritmit të punës nga të gjithë specialistët. Deri tani telekonsultat e kryera nga shërbimet e QSUT me rrethin e Korçës, kanë rezultuar të suksesshme. Në bazë të relacioneve që kemi, shërbimi i Traumatologjisë, i Neurokirurgjisë dhe Kardiologjisë, rezultojnë që kanë kryer më shumë telekonsulta. Sigurisht, kjo është varur nga rastet e kërkuara për t’u telekonsultuar”. Drejtoria e QSUT është në përfundim të përcaktimit të listës së personelit shëndetësor që do i përgjigjet telekonsultave në bazë të kërkesës dhe listën e mjekëve roje për çdo shërbim në QSUT. “Duke ju uruar punime të mbara në këtë workshop, do t’ju siguroja bashkëpunimin tim maksimal në vazhdimësinë e këtij programi”, përfundoi fjalën e saj drejtoresha e QSUT.