Infeksionet Nozokomiale: Sfidë drejt një shëndetësie më moderne
Komiteti i Kontrollit të Infeksioneve Spitalore të QSUT “Nënë Tereza” është një strukturë e rëndësishme teknike përgjegjëse për parandalimin dhe uljen e infeksioneve spitalore, e cila pas disa vitesh mungesë rifilloi funksionimin e saj në 28.02.2014.
Në mbledhjen e parë të këtij komiteti ishin të pranishëm mjekë të specialiteteve të ndryshme dhe drejtuesit më të lartë të QSUT në cilësinë edhe të anëtarëve të komitetit.
Infeksionet nozokomiale konsiderohen sot tregues të cilësisë së shërbimeve të ofruara në një spital apo çdo institucion tjetër shëndetësor, në këtë kuadër QSUT ka për synim të përcaktojë objektiva konkretë rreth të cilave do të përqendrojë përpjekjet për parandalimin dhe uljen e këtyre infeksioneve, të caktojë ekipet e profesionistëve përgjegjës për të siguruar zbatimin me rigorozitet dhe monitorimin e ecurisë së procesit si dhe ndërgjegjësimin e strukturave në të gjitha nivelet duke dërguar një mesazh të qartë mbi parimet e higjienës dhe konceptet e mbrojtjes prej infeksioneve.
Komiteti do përmbushë këto funksione:
- Të hartojë politikat spitalore për parandalimin dhe uljen e infeksioneve në shërbime;
- Të përgatisë një strategji të luftës kundër infeksioneve spitalore, përfshirë edhe survejancën epidemiologjike;
- Të hartojë standarde për procedurat e punës në sallat operatore dhe ambientet e tjera, bazuar në normat për garantimin e higjienës dhe sterilitetit në shërbime;
- Të verifikojë zbatimin efektiv të masave të propozuara për parandalimin dhe uljen e infeksioneve spitalore dhe të raportojë periodikisht pranë drejtorisë;
- Të bëjnë propozime për masa të menjëhershme operative, sa herë identifikohen problematika apo situata me risk të shtuar për infeksione;
- Të hartojë një politikë spitalore për përdorimin e antibiotikëve;
- Të ofrojë trajnime të vazhdueshme të personelit spitalor mbi këto çështje;
- Të hartojnë materiale informuese dhe ndërgjegjësuese.
Programet e kontrollit dhe parandalimit të infeksioneve spitalore përmbushin jo vetëm qëllimin që lidhet më një përkujdes të orientuar dhe fokusuar tek pacienti, por kontribuojnë gjithashtu në mbrojtjen e stafit mjekësor dhe përkujdesës shëndetësor, vizitorëve, studentëve dhe të gjithë atyre në kontakt me këto mjedise si dhe nëpërmjet një programi efikas sigurojnë një trajtë të drejtë kosto-përfitimi.