Manastirliu: Për herë të parë hartimi i listës nëpërmjet një procesi gjithë përfshirës.
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” pas një pune intensive dhe të kujdesshme disa mujore, ka hartuar një listë të barnave dhe materialeve të mjekimit për përdorim spitalor, e cila ofron më shumë siguri për pacientët që do të diagnostikohen, trajtohen dhe kurohen në QSUT si dhe më shumë garanci për një mjekim të vazhdueshëm dhe pa mungesa për pacientët. Në një dalje publike për mediat së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj, Drejtoresha e QSUT, znj. Ogerta Manastirliu është shprehur se këtë vit ka një rritje të buxhetit për barnat dhe materialet mjekësore, nga 1.7 miliardë lekë që ishte në 2013-ën, në 2.2 miliardë lekë.
Znj. Manastirliu ka theksuar në fjalën e saj: “Për herë të parë ka ndodhur që Lista e barnave dhe materialeve të mjekimit është hartuar nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës konsultues të një ekipi profesionistësh të përbërë nga mjekë, farmakologjistë, shefa të klinikave mjekësore dhe strukturave të administratës, duke analizuar:
- Profilet e sëmundjeve/nozologjive kryesore;
- Efektshmërinë e medikamenteve të testuara, bazuar në protokollet ekzistuese të mjekimit;
- Efektshmërinë e medikamenteve të reja bazuar në protokollet më të reja bashkëkohore të mjekimit për shtatë shërbime mjekësore.
Ndërkohë paralelisht janë analizuar:
- Konsumi i barnave apo materialeve për vitet e mëparshme;
- Sasia e stoqeve të krijuara në kohë;
- Gjendja ekzistuese në depot farmaceutike.”
Në bashkëpunim me stafin e QSUT dhe ekspertët e MSH është hartuar një listë esenciale e barnave gjenerikë cilësorë duke siguruar një planifikim realist të bazuar në kritere teknike-shkencore, ekonomike dhe sociale.
“Ky proces shënon vetëm hapin e parë”, – u shpreh znj. Manastirliu, “pasi ne jemi të sigurt për progresin që do të bëjmë, në drejtim të përdorimit me efikasitet të fondeve spitalore si dhe mirëadministrimit të shpërndarjes dhe konsumit të barnave, nga shërbimi tek pacienti”.
Lista e këtij viti është zgjeruar për të gjitha kategoritë, por kjo listë sjell risi përsa i përket disa barnave të futura për herë të parë për përdorim spitalor në trajtimin e disa sëmundjeve, si ato tumorale, kardiake, neurologji, nefrologji etj.
Drejtoresha e QSUT u shpreh në lidhje me planin e diagnostikës laboratorike se “do të doja të përmendja rritjen e ndjeshme të buxhetit për një seri kitesh dhe reagentësh për Laboratorin Mikrobiologjik. Kujtoj që prej dy vjetësh, ky laborator nuk zhvillon aktivitet të plotë. Po kështu, Laboratorin Klinik-Biokimik me analizat e tiroides, prostatës apo markuesit tumoralë. Gjithashtu, është planifikuar realizimi i analizave për Laboratorin e Gjenetikës dhe Laboratorin Imunologjik.”
“Planifikimi që kemi kryer këta muaj është përqendruar në dy drejtime:
a. Së pari, në plotësimin e nevojave për shportën bazë të medikamenteve dhe materialeve mjekësore për urgjencat, reanimacionet, sallat operatore. (Në linjën e antibiotikëve është ndjekur baza e sigurimit të gjeneratës së parë dhe të dytë si dhe gjeneratat e treta dhe të katërta për rastet e ndërlikuara. Barnat antiretrovirale, antimalatike, antituberkulare.)
b. Së dyti, barnat specifike, ku kemi dyfishuar sasitë për linjën e parë të citostatikëve për Onkologjinë krahasuar me vitin 2013; citostatikët për Onkohematologjinë për fëmijët dhe adultët për herë të parë në QSUT (bortezomid, everolimus, imatinid, procarbazinë). Është rritur me 2.5 herë sasia e planifikuar për transtuzimabin, citostatik që përdoret si linjë e parë në kimioterapi për tumorin e gjirit. Për shërbimet e Hemodinamikës dhe Kardiokirurgjisë, është shtuar me 100 milionë lekë fondi për këto shërbime, si dhe do të sigurohen materialet për koronarografitë dhe për operacionet kardiake. Për shërbimin e Pediatrisë Infektive janë shtuar në sasi, barnat kundër leshmanjozës, barnat për rritjen e imunitetit tek fëmijët me sëmundje të lindura etj”, theksoi znj. Manastirliu.
Në fund të fjalës së saj, kreu i QSUT theksoi se “sfida jonë mbetet zhvillimi i skemës për kontrollin e konsumit të barnave nga farmacia tek pacienti. Për këtë kemi forcuar sistemin e intranetit në porosinë e barnave dhe materialeve, nga farmacia në shërbim, dhe po zhvillojmë sistemin e verifikimit të shpërndarjes dhe monitorimit të barnave nga shërbimi tek pacienti.
Dua të theksoj edhe një herë se, gjithë sa përmenda më sipër për furnizimin me barna dhe materiale mjekësore, bashkuar me përkushtimin e të gjithë stafit mjekësor dhe mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë, janë një garanci më shumë për një përmirësim të dukshëm të cilësisë së shërbimit që do t’u ofrohet pacientëve në QSUT gjatë këtij viti, një ndryshim që, me lejoni ta them, ka filluar të ndihet tashmë.”