QSUT, mjekët zbatojnë orarin sipas rregullores së miratuar

05/05/2014

Mjekët e spitaleve në QSUT, tashmë nuk mund të lëvizin drejt klinikave të tyre apo në spitale të tjera private gjatë orarit zyrtar.

Ndonëse me parë mjeku paraqitej në pavionet e QSUT-së, vetëm 3 apo 4 orë, aq sa i nevojitej për të transeferuar pacientët drejt klinikës së tij private, tani ai është prezent 7 orë e gjysmë, siç parashikohet në rregullore. “Në bashkëpunim me shërbimet mjekësore, me shefat e shërbimeve, ne jemi duke punuar, sa i përket edhe respektimit dhe disiplinës në punë. Me mbështetjen e tyre dhe me përkrahjen e tyre, sot mjekët janë në eficensë të plotë përgjatë gjithë orarit zyrtar, orarit të punës në spitalet tona”, thotë Ogerta Manastirliu, drejtore e QSUT-së.

Dhe jo vetëm gjatë javës, por mjekët janë rikthyer në QSUT edhe ditëve të shtuna, ku zakonisht më parë gjeje vetëm mjekun roje, me pretendimin se ishte ditë pushimi.

“Të shtunave, mjekët dhe shefat e shërbimeve vetë, së bashku me ekipet e tyre, dalin në punë, gjithashtu dhe duke ndjekur raste të vecanta pacientësh”, thotë Manastirliu.

Drejtorja e QSUT-së, shpjegon se gjithçka është përcaktuar në rregullore dhe nuk po bëjnë gjë tjetër veçse po vënë në zbatim atë, nismë e cila ka gjetur mbështetjen e të gjithë shefave të shërbimit.

“Statuti i QSUT-së, por edhe rregulloret e dala në zbatim të tij, i përcaktojnë të gjitha masat administrative dhe jo, për sa i përket mungesave në punë. Ato janë shumë mirë të qarta dhe të shkruara. Sigurisht ne nuk do të donim që të merrnim këto masa. Në fakt nuk është se ka qenë praktikisht e nevojshme, por sigurisht pjesa e monitorimit dhe kontrollit mbetet një ndër objektivat tona të punës. Një institucion kaq i madh është i pamundur të kontrollohet nëqoftëse nuk ka një sistem elektronik të kontrollit. Nuk mund të kontrollosh me burime njerëzore, burimet njerëzore”, thotë kreu i QSUT-së. Ndonëse Manastirliu thekson se nuk është në qëllimin e saj ndëshkimi i mjekëve, duket se askush nga mjekët nuk zgjedh të ndëshkohet  me masa administrative që parashikohen apo t’u cënohet imazhi për thyrje të rregullores. Edhe pse ata paguhen më mirë në klinikat private, ku janë dypunësuar ata vlerësojnë punën në QSUT dhe askush nuk dëshiron të largohet prej saj.

(Marrë nga “Top Channel”)

Posted in Lajme by admin qsut