QSUT, pajisje e re për analizat e tumoreve

04/02/2014

Manastirliu: Bashkohemi me sloganin “Të rrëzojmë mitet e kancerit”.

Në Shërbimin e Laboratorik Biokimik-Klinik të QSUT-së sapo është vënë në punë një pajisje e re, e cila kryen ekzaminimet e markuesve tumoralë me metodën “chemiluminiscent”. Matjet e realizuara nga kjo pajisje janë tepër të rëndësishme për sa i përket ndjekjes së ecurisë si dhe efikasitetit të trajtimeve (kirurgjikale, kimioterapeutike, radioterapeutike) të pacientëve me sëmundje tumorale në vazhdimësi.

Sot në Ditën Botërore të Luftës kundër Kancerit, Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe drejtoresha e QSUT-së, Ogerta Manastirliu, zhvilluan një takim me mjekët dhe personelin shëndetësor të Laboratorit Biokimik-Klinik.

Ministri Beqaj u shpreh se “Sot është ditë e veçantë, 4 shkurti është Dita Botërore e Luftës kundër Kancerit. Në këtë ditë, në një vizitë në laboratorin e spitalit komunikova me mjekët për të parë funksionimin e një pajisjeje që arrin të bëjë analizat e markuesve tumoralë, një analizë e domosdoshme, jo vetëm për diagnostikim, por edhe për ndjekjen e terapisë dhe në rastet më të mira për shërimin e sëmundjes. Ne do të garantojmë funksionimin e përditshëm dhe kryerjen normale të kësaj analize”.

Sipas Ministrit Beqaj, vënia në punë e kësaj aparature është pjesë e gjithë përpjekjeve që po bën Ministria e Shëndetësisë për të patur një përkujdesje shumë të mirë për pacientët që vuajnë nga këto sëmundje, të cilat në vitet e fundit e kanë rritur shumë incidencën e tyre. “Edhe dje kishte një lajm të mirë që në komisionin parlamentar u diskutua marrëveshja e kredisë për akseleratorin linear që do të ndihmojë edhe trajtimin radioterapeutik të sëmundjeve kanceroze pranë shërbimit tonë Onkologjik”, përfundoi Beqja.

Drejtoresha e QSUT-së, Ogerta Manastirliu, u shpreh se “Sot në ditën botërore të luftës kundër kancerit QSUT i bashkohet sloganit: “Të rrëzojmë mitet e kancerit”. Në Laboratorin Qendror të kësaj qendre universitare bëhen çdo vit rreth 2 milion teste në funksion të diagnostikimit dhe ecurisë së trajtimit të sëmundjes. “Prej më shumë se një viti nuk kryheshin analizat e markuesve tumoralë në spital, por në sajë të bashkëpunimit dhe mbështetjes së Ministrisë së Shëndetësisë sot arrijmë të bëjmë këtë gamë analizash.

Fondi për laboratorët në QSUT për kitet dhe reagentët është rritur 2 herë më shumë se në 2013. “Buxheti i këtij viti mbështet më shumë QSUT si një qendër e shërbimeve terciare, si një qendër që duhet të ofrojë shërbime të specializuara dhe për sa i përket këtyre sëmundjeve, citostatikët zënë një peshë specifike në buxhetin 2014 rreth 2 herë më shumë, krahasuar me vitin e kaluar”, tha Manastirliu.

Posted in Lajme by admin qsut