Për herë të parë në shërbimin e Neurokirurgjisë në QSUT është kryer një operacion për heqjen e masës tumorale në tru nëpërmjet kraniotomisë në gjendje zgjimi, çfarë do të thotë që pacienti mbahet zgjuar dhe komunikon me kirurgun gjatë ndërhyrjes.
Pacientja e dytë ka qenë një 30-vjeçare, studente e mjekësisë në vitin e tretë, “Gjinovefa, studente e mjekësisë, prej disa kohësh kishte një shqetësim dhe u preferua që të fillohej ajo që quajmë si kirurgji zgjuar me profesorin Henri Marsh, të cilën vajza e pranoi me të gjitha kushtet, duke qenë e qartë dhe duke parë gjatë operacionit edhe trurin e vetë”, tha mjeku Mentor Petrela.
“Një pjesë e këtij operacioni është zhvilluar gjatë ditës së djeshme (e enjte) me anestezi, ndërsa sot është kryer pjesa me të qëndruarit zgjuar, thjesht me anestetikë lokalë që të mos kisha dhimbje. U krye pjesa e heqjes së masës tumorale, ndërkohë që unë thjesht ndieja sikur më lëvizte ndonjë venë, por mund ta kisha edhe nga frika. Gjithçka shkoi shumë mirë”, tha Gjinovefa, pacientja e nënshtruar operacionit.
Kjo ndërhyrje në shërbimin e Neurokirurgjisë në QSUT është kryer nga pionieri i ndërhyrjeve me kraniotomi në gjendje zgjimi, profesori nga Londra Henri Marsh, i cili ka kryer 400 ndërhyrje të tilla në Europë, si dhe profesor doktor Mentor Petrela së bashku me ekipin e tij. Profesori Marsh shpjegon se pacienti mbahet zgjuar gjatë ndërhyrjes, në mënyrë që të mos dëmtohet asgjë, pasi gjatë këtij operacioni shkohet thellë në pjesët përgjegjëse të trurit që lidhen me funksionin e të menduarit, shikimit apo lëvizjen e gjymtyrëve.
“Është njësoj si tek dentisti, kur përdoret anestezia lokale dhe dhëmbi që mjekohet nuk të dhëmb. Në disa raste të tumorit në kokë mund të bëhet një heqje e sigurtë e tij kur pacienti është zgjuar. Arsyeja e kësaj është dy anët e ndryshme të trurit. Kur tumori është pranë qendrave që lidhen me të folurën ose me lëvizjen e njeriut, është shumë e rrezikshme ta operosh pacientin në gjumë, sepse ti nuk e di se ku është kjo pjesë e rëndësishme e trurit. Dhe kur nis heqjen e tumorit, ti nuk je në dijeni nëse gjatë operacionit je duke dëmtuar këto funksione të trurit apo jo. Prandaj kur përdoren sondat elektrike, për të parë se ku janë pjesët e rëndësishme të trurit, për të hequr tumorin, e mban pacientin zgjuar. Në operacionin e parë, zona e rrezikshme ishte ajo që lidhej me lëvizjet e krahëve dhe të këmbëve, ndërsa në operacionin e sotëm të studentes së Fakultetit të Mjekësisë, zona e rrezikshme lidhej me shikimin”, deklaroi profesori Marsh.
Të dy pacientët, pas operacionit do të qëndrojnë vetëm 3 ditë në spital. Sipas profesor Petrelës, kjo eksperiencë e profesorit londinez Henri Marsh, do të shërbejë për të operuar të tjerë pacientë që kanë probleme neurologjike, përfshirë epilepsinë, tumoret apo dhe dëmtime të tjera të trurit.
“Zakonisht këto tumore që operohen me atë që quhet operacioni zgjuar, në përgjithësi shfaqen me epilepsi. Mbi bazën e të gjithë eksperiencës së mëparshme dhe asaj që morëm këto ditë, besoj se këtë mundësi do t’iua ofrojmë pacientëve shqiptarë, ndër të cilët mendohet të jenë 10-15 për qind të të sëmurëve me tumore të trurit, që kanë nevojë për këtë teknologji, ku kontrollohet më mirë gjendja e pacientit duke mos i shkaktuar dëme”, tha Prof. Dr. Mentor Petrela, shef i Shërbimit të Neurokirurgjisë.
Drejtoresha e QSUT-së, Ogerta Manastirliu vlerësoi mbërritjen e profesorit Henri Marsh në shërbimin e Neurokirurgjisë, ndërkohë që vlerësoi edhe ekipin e mjekëve, të kryesuar nga profesor Petrela.
“QSUT është udhëheqëse në mjekësinë shqiptare, por mbi të gjitha edhe në shërbimin e Neurokirurgjisë, qoftë për potencialin e mjekëve që ofron; mjekë të specializuar dhe të formuar brenda dhe jashtë vendit, të drejtuar nga profesor Petrela; qoftë dhe nga pikëpamja e aparaturave, kushteve dhe standardeve të shërbimit që ofrohet. Ne jemi shumë të angazhuar të mbështesim të gjitha shërbimet mjekësore, jo vetëm atë të Neurokirurgjisë, në mënyrë që ato të zhvillohen. Ky është një moment jo vetëm për më shumë përgjegjësi dhe angazhim nga ne, por edhe një moment frymëzues dhe motivimi për studentët dhe kirurgët e rinj të Neurokirurgjisë. Këto janë momente kur ne shohim sesi investimet në burime njerëzore dhe ato në aparatura përputhen bashkë dhe sjellin më shumë përmirësim në ndërhyrje, të cilat në fund të ditës përmirësojnë jetët e pacientëve” Ogerta Manastirliu, drejtoreshë e QSUT-së.
Kjo ndërhyrje kirurgjikale u krye në një sallë të re të shërbimit të Neurokirurgjisë, të pajisur me mjete moderne, falë një projekti shqiptaro-austriak. Profesor Henri Marsh, me famën e tij në kryerjen e këtyre operacioneve, ka ngjallur dhe interesin e një ekipi gazetarësh nga “New York Times Magazine”, të cilët kanë realizuar një reportazh të zgjeruar në lidhje me dy operacionet, që ai kreu në Shqipëri, duke ndjekur çdo hap të tij. Ndërkohë, profesorin e njohur e ka pritur edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili i ka dhuruar “çelësin” e Tiranës.