Struktura e Shërbimit Mjekësor në QSU “Nënë Tereza”.
Polet e Administrimit të Integruar
QSU “Nënë tereza” është e ndarë në 8(tetë) pole të quajtur Polet e Administrimit të Integruar (PAI), qëllimi i të cilave është të optimizojë proceset e punës për të siguruar shërbime mjekësore të përshtatshme dhe cilësore për pacientët:
- Poli i Administrimit të Integruar të Sëmundjeve të Brendshme
- Poli i Administrimit të Integruar të Spitalit Polivalent
- Poli i Administrimit të Integruar të Spitalit të Neuroshkencës
- Poli i Administrimit të Integruar të Spitalit Pediatrisë
- Poli i Administrimit të Integruar të Spitalit Onkologjik
- Poli i Administrimit të Integruar të Spitalit Francez
- Poli i Administrimit të Integruar të Spitalit Infektiv
- Poli i Administrimit të Integruar të Konsultave
Funksionimi i PAI-eve:
Ogranizimi me pole ka në bazë të tij parimin e pjesëmarrjes së profesionistëve në procesin e vendimmarrjes dhe përfaqëson grupimin e specialiteteve të përafërta.
Çdo PAI ka në përbërjen e tij drejtuesin mjekësor, administratorin si dhe një strukturë ndihmëse, që ndjek planifikimin e shërbimeve për çdo spital për të zhvilluar, monitoruar dhe mbajtur përgjegjësi për çdo aktivitet spitalor dhe ambulator.
Çdo Pol i Administrimit të Integruar (PAI) ka Administratorin, i cili organizon punën në kuadër të koordinimit me pacientët, mjekët dhe familjarët. Administron ankesat dhe kërkesat e pacientëve duke koordinuar me shërbimet mjekësore dhe stafin administrativ.
Funksionimi dhe drejtimi i Polit të Administrimit të Integruar bëhet në bazë të rregulloreve të posaçme.
Shërbimet Mjekësore
QSU “Nënë Tereza” ofron shërbime mjekësore diagnostikimi e kurimi në njësi të specializuara.
Shërbimet janë njësi diagnostikuese trajtuese dhe shkencore themelore.
Shërbimi mjekësor ka personelin e vet me kohë të plotë e atë me kohë të pjesëshme.
Nën varësinë direkte funksionale të Shefit të Shërbimit janë të gjithë punonjësit e Shërbimit Mjekësor dhe nëse ka, edhe të atij mbështetës.
Çdo Shërbim ka një Kryeinfermier, i cili/e cila përzgjidhet nga rradhët e infermierëve të QSUNT me përvojë pune së paku 3- vjeçare dhe kualifikimin më të lartë. Kryeinfermieri emërohet nga Drejtori i Përgjithshëm. Numri i infermierëve, laborantëve apo i punonjësve të tjerë të Shërbimit caktohet sipas strukturës së miratuar nga Ministri i Shëndetësisë.
Në çdo shërbim atashohen edhe specializantë që janë efektiv në shërbim i QSU “Nënë Tereza”. Ata punojnë me kohë të plotë dhe me të njëjtën ngarkesë pune si mjekët e pavionit.
Drejtori merr masa për organizimin e shërbimeve mbështetëse, për të gjitha shërbimet në QSU “Nënë Tereza”, sipas përcaktimeve të bëra në legjislacionin në fuqi. Funksionimi i tyre realizohet mbi bazën e një rregulloreje të veçantë të miratuar nga Drejtori i Përgjithshëm.