Programi i Transparencës

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

MINISTRIA E SHËNDETËSISË

QENDRA SPITALORE UNIVERSITARE “NËNË TEREZA” TIRANË

DREJTORIA E PËRGJITHSHME

MIRATUAR
Ogerta Manastirliu
Drejtor i Përgjithshëm

PROGRAMI I TRANSPARENCËS SË QSUNT

I. HYRJE

Në përputhje me nenin 7 të ligjit nr.119/2014 “Për të Drejtën e Informimit” Qëndra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” përgatiti programin e saj të transparencës. Ky program përcakton kornizën ligjore të veprimtarisë së QSUNT në kuadër të ligjit nr.119/2014 “Për të Drejtën e Informimit” (LDI).

Ky program vlerësohet si një mënyrë konkrete përmes së cilës QSUNT ndërton dhe rrit transparencën në punën e tij institucionale, dhe synon të kryejë transparencën e veprimtarisë së punës së saj, nëpërmjet pasqyrimit të detajuar të tij në faqen zyrtare www.qsut.gov.al si dhe në mjediset e pritjes së publikut.

Programi i transparencës pasqyrohet në rubrika, tekste/përmbajtje, afat kohor për bërjen publike të tij, mënyrën e bërjes publike si dhe strukturën përkatëse e cila prodhon ose administron dokumentin. Shih në vijim Tabelën Përmbledhëse të Programit të Transparencës së QSUNT.

Dokumentacioni i bërë publik, do të jetë i përditësuar në formë e përmbajtje sa herë vlerësohet e nevojshme. Faqja zyrtare e QSUNT www.qsut.gov.al është ndërtuar në formë të tillë që mundëson informacion për publikun dhe në format lehtësisht të kuptueshëm dhe kjo realizohet në disa rubrika. Konkretisht në rubrikën “Rreth nesh” dhe “Shërbimet mjekësore” gjendet informacion rreth kuadrit ligjor, organizimit dhe drejtimit të punës në QSUNT si dhe informacione më të detajuara rreth shërbimeve mjeksore të ofruara. Më tej në rubrikën “Për pacientët dhe familjarët” dhe “Shëndeti juaj” mund të gjenden informacione të detajuara rreth orarit, vendndodhjes, dokumentacionit të nevojshëm për marrjen e shërbimeve shëndetësore, të drejtat dhe detyrimet e pacientit në spital, si dhe këshilla të ndryshme edukuese.

II. PARIME TË PËRGJITHSHME

Parimet kryesore në të cilat mbështetet Programi Transparencës së QSUNT -së janë:

  1. E drejta për informim” është e drejtë Kushtetuese e parashikuar në nenin 23 të saj, e aksesueshme nga të gjithë pa asnjë përjashtim.
  2. Prezumimi i publikimit maksimal të të dhënave: QSUNT-ja ushtron funksione publike, për rrjedhojë informacioni që rrjedh nga veprimtaria e tij publikohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
  3. Shërbimi mjekësor në QSUNT ushtrohet në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Kodin e Punës, të Ligjit Nr. 8485, datë 12.05.1999 për “Kodin e Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, të Ligjit Nr. 9106, datë 17.07.2003 “Për shërbimin Spitalor në Republikën e Shqipërisë”, Ligjit Nr. 147/2014 “Për shërbimin e urgjencës mjekësore”, Ligjit Nr. 10383, datë 24.02.2011 “Për Sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, Ligjit Nr.131/2012 pёr disa ndryshime dhe shtesa nё ligjin Nr. 9643, datë 20.11.2006 “Pёr prokurimin publik”, të ndryshuar”, Ligjit Nr.7815, datë 20.4.1994 “Për barnat”, Ligjit Nr.9323, datë 25.11.2004 “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, Ligjit Nr. 89/2014 “Për pajisjet mjekësore”, Ligjit Nr.8025, datë 9.11.1995 “Per mbrojtjen nga rrezatimet jonizuese”, Ligjit Nr.7761, date 19.10.1993 “Për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse”, Ligjit Nr.9952, datë 14.7.2008 Për parandalimin dhe kontrollin e HIV/AIDS-it, Ligjit Nr. 44/2012 “Për shëndetin mendor”, Ligjit Nr. 8615, datë 01.06.2000 “Për Urdhrin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë”, Ligjit Nr.9718, datë 19.4.2007 “Për urdhrin e infermierit në Republikën e Shqipërisë”, si dhe akte të tjera ligjore e nënligjore që lidhen me veprimtarinë e saj.
  4. Informacioni përshtatet në gjuhë të qartë e të kuptueshme.
  5. Organ mbikëqyrës i procedurave të informimit publik është Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale” (këtej e tutje KDIMDP).
  6. Rishikimi i programit të transparencës bëhet sipas së njëjtës procedurë, përmes së cilës është bërë miratimi i tij.
  7. Informacioni publik pa kërkesë duhet të jetë:
    1. i plotë;
    2. i saktë;
    3. i përditësuar;
    4. i thjeshtë në konsultim;
    5. i kuptueshëm;
    6. lehtësisht i aksesueshëm;
    7. i pajtueshëm me dokumentet origjinale në posedim të autoritetit publik.

III. INFORMACIONI QË BËHET PUBLIK PA KËRKESË

Bazuar në programin e transparencës të miratuar nga Drejtori i Përgjithshëm i QSUNT, në faqen www.qsut.gov.al dhe në mjediset e pritjes së publikut, QSUNT vendos në dispozicion të publikut informacionet e mëposhtme:

  • Strukturën organizative të QSUNT;
  • Tekstet e plota të ligjeve, të akteve nënligjore, të kodeve të sjelljes, të konventave që janë ratifikuar, dokumente politikash, të manualeve ose dokumentave të tjera të lidhura me ushtrimin e funksioneve të tij dhe që prek publikun e gjerë;
  • Informacion për procedurat që duhen ndjekur për të bërë një kërkesë për informim, adresën postare dhe elektronike për depozitimin e kërkesave për informim, si dhe procedurat e ankimit të vendimit përkatës;
  • Të dhëna për vendndodhjen e zyrave të autoritetit publik, orarin e punës, emrin dhe kontaktet e koordinatorit për të drejtën e informimit;
  • Të dhëna për arsimin, kualifikimet dhe pagat e funksionarëve, të cilët kanë detyrimin për deklarimin e pasurisë, sipas ligjit, strukturat e pagave për nëpunësit e tjerë, si dhe një përshkrim të procedurave të zgjedhjes, kompetencave dhe detyrave të funksionarëve të lartë të autoritetit publik dhe procedurën që ata ndjekin për të marrë vendime;
  • Mekanizmat monitorues dhe të kontrollit që veprojnë mbi autoritetin publik, përfshirë planet strategjike të punës, raportet e auditimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ose subjekte të tjera audituese, si dhe dokumentet që përmbajnë tregues të performancës së institucionit;
  • Të dhëna për buxhetin dhe planin e shpenzimeve për vitin financiar në vijim dhe vitet e kaluara, si dhe çdo raport vjetor për zbatimin e buxhetit. Në ato raste kur autoriteti publik vetëfinancohet nga tarifat e licencave ose çdo formë tjetër e financimit të drejtpërdrejtë nga subjektet e rregulluara prej tij, bëhen publike edhe dokumentet që tregojnë gjendjen e shlyerjes së detyrimeve nga subjektet e licencuara;
  • Informacion për procedurat e prokurimit publik, përkatësisht, sipas parashikimeve të ligjit nr. 9643, datë 20.12.2006, “Për prokurimin publik”, që kryhen për llogari të saj, duke përfshirë: listën e kontratave të lidhura, shumën e kontraktuar, palët kontraktuese dhe përshkrimin e shërbimeve apo mallrave të kontraktuara, informacionin për zbatimin dhe monitorimin e kontratave, si dhe udhëzues e politika të ndryshme;
  • Informacion për shërbimet që i jep publikut, përfshirë standardet për cilësinë e shërbimit, një përshkrim të kategorive dhe formave të ndihmës shoqërore, subvencioneve të dhëna nga autoriteti publik dhe të procedurave për t’i përfituar ato, informacione dhe dokumente që kërkohen shpesh, çdo informacion tjetër që gjykohet i dobishëm nga autoriteti publik;
  • Çdo mekanizëm dhe procedurë për bërjen e kërkesave dhe ankesave, në lidhje me veprimet ose mosveprimet e autoritetit publik, procedura, përmes së cilës personat e interesuar mund të paraqesin mendimet e tyre apo të ndikojnë në çfarëdo mënyre tjetër në hartimin e ligjeve, të politikave publike apo ushtrimin e funksioneve të QSUNT, një përshkrim të thjeshtë të sistemit që përdor autoriteti publik për mbajtjen e dokumentacionit, të llojeve, formave të dokumenteve, si dhe të kategorive të informacionit që bëhet publik pa kërkesë;
  • QSUNT-ja, krijon dhe arkivon një kopje digjitale të faqes zyrtare të tij në internet, të plotësuar me informacionin që kërkohet në programin e miratuar të transparencës, si dhe për metodat, mekanizmat dhe periodicitetin e publikimit të informacioneve publike, të cilat vihen në dispozicion të publikut pa kërkesë;
  • Aktet që përmbajnë rregulla, norma apo kufizime të të drejtave dhe lirive themelore të individit, si dhe me efekt të drejtpërdrejtë për ta, bëhen publike me anë të afishimit apo postimit në faqen zyrtare të internetit, brenda 48 orëve prej miratimit të aktit nga QSUNT-ja.

Informacioni i publikuar sipas kësaj skeme, përditësohet sa herë ai ndryshon.

IV. TABELA PËRMBLEDHËSE E PROGRAMIT TË TRANSPARENCËS SË QSUNT

Referoju tabelës përmbledhëse

V. PUBLIKIMI

Në përputhje me këtë program transparence të miratuar, QSUNT-ja vendos në dispozicion të publikut në faqen e tij të internetit [www.qsut.gov.al] dhe në mjediset e pritjes së publikut, kategoritë e mësipërme, në një menu të veçantë të titulluar “Programi i Transparencës”.

VI. MONITORIMI

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale monitoron zbatimin e ligjit për të drejtën e informimit, duke nxitur parimin e transparencës në punën e autoriteteve publike, veçanërisht duke sensibilizuar dhe informuar për çështje të së drejtës së informimit.

Komisioneri bën rekomandime për autoritetet publike, lidhur me konceptimin dhe zbatimin e programeve institucionale të transparencës.

</p>
<style>