Prej vitesh Shërbimi i Kardiologjisë dhe ai i Kardiologjisë Pediatrike bashkëpunon me shoqatën “The Heart of Children”, në kuadër të Marrëveshjes lidhur mes Ministrisë së Shëndetësisë, Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe Shoqatës “The Heart of Children”.
Ky bashkëpunim bazohet kryesisht në nevojat e Shërbimit të Kardiokirurgjisë dhe Kardiologjisë pediatrike dhe qëndron në:
- kryerjen e aktivitetit të konsulencës nga një ekip i specializuar, i zgjedhur nga Shoqata, në përbërjen e të cilit janë kardiokirurgë, anestezistë, teknikë perfuzionistë, infermier;
- kryerjen e ndërhyrjeve ose asistimi i kirurgëve shqiptarë, sipas vështirësive të rastit;
- sugjerimi i materialeve dhe instrumenteve për zhvillimin normal të këtyre specialiteteve;
- pjesëmarrje në aktivitetet klinike dhe shkencore të Shërbimit të Kardiokirurgjisë;
- harmonizimin e aktiviteteve praktike nëpërmjet mësimeve formuese, shkëmbimit të eksperiencës dhe kurseve të trajnimit.
Bazuar në eksperiencën e deritanishme të këtij bashkëpunimi shërbimet e Kardiokirurgjisë dhe Kardiopediatrisë vënë në dukje faktin se është bërë e mundur që ekipi i mjekëve kardiologë, kardiokirurgë dhe anestezist-reanimator të QSUNT-së të perfeksionohet duke mundësuar realizimin aktualisht të diagnostikimit dhe të kurimit të patologjive mjaft të ndërlikuara të zemrës edhe në fëmijë fare të vegjël, procedura të cilat në të kaluarën nuk ishte e mundur të kryheshin në vendin tonë.
Me anë të kësaj marrëveshjeje palët kanë rënë dakord të institucionalizojnë marrëdhëniet e tyre duke krijuar një kuadër të favorshëm bashkëpunimi sipas vullnetit të tyre të përbashkët.
Gjatë vitit 2013 si rrjedhojë e këtij bashkëpunimi janë kryer pesë misione, gjatë të cilave janë realizuar 32 operacione (patologji komplekse të zemrës), 20 kateterizime të zemrës, dy prej të cilave kurative, si dhe 300 ekzaminime ekokardiografike në fëmijë kardiopatë.)
Gjithashtu në kuadër të harmonizimit të aktiviteteve praktike janë zhvilluar trajnime për mjekët dhe infermierët e sallës së operacionit dhe reanimacionit.