Rreth Nesh
Pediatria e përgjithshme mbulon një gamë të gjërë shërbimesh:
Pavijonet dhe Urgjenca Pediatrike : Dy pavijonet kanë 40 shtretër në të cilët shtrohen pacientë me patologji kardiake, reumatologjike, të pediatrisë së përgjithshme kryesisht gjendje febrile të zgjatura pa vatër të njohur infeksioni, si dhe infeksione akute gastrointestinale, urinare, pulmonare.
Numri total i të shtruarve në një vit është përafërsisht 2500 raste, me ditë qëndrimi mesatar 5.19 ditë dhe shfrytëzim shtrati 89.12% duke e bërë ndër shërbimet me shfrytëzimin më të mirë.
Kardiologjia Pediatrike : është e vetmja qendër spitalore terciare në rang vendi e diagnostikimit dhe trajtimit të kardiopative të lindura dhe të fituara. Aty shtrohen pacientët kardiopatë pre dhe post- operatorë. Gjatë vitit të kaluar (periudha janar-nëntor 2013) rreth 14% e numrit total të pacientëve kardiopatë me moshë kryesisht të 2-3 viteve të para të jetës i janë nënshtruar ndërhyrjeve kardiokirurgjikale. Vihet re një rritje e numrit dhe ulje e moshës së pacientëve kardiopatë që i nënshtrohen ndërhyrjes krahasuar me vitet paraardhëse.
Kabineti i ekokardiografisë : përballon konsultat nga të gjitha rrethet dhe numëron rreth 3500 ekzaminime gjatë një viti, numër që ndryshon me tendencë rritjeje nga viti në vit. Shërbimi ka rritur cilësinë diagnostikuese të këtyre kardiopative duke pajisur kabinetin me një aparat të ri me parametra bashkëkohor. Një rol të ndjeshëm ka patur dhe bashkëpunimi me ekipin e mjekëve italiane (Prof.Vanini, Prof. Ballerini), ardhja periodike e të cilëve ka ndihmuar në zgjidhjen e rasteve të vështira.
Reumatologjia pediatrike : është e vetmja qendër spitalore terciare në rang republike për diagnostikimin dhe trajtimin e patologjive reumatologjike akute e kronike me një volum prej rreth 1500 konsulta në vit.
Në këtë shërbim ofrohet dhe konsulta mbi ushqyerjen dhe dietologjinë që i përgjigjet të sëmurëve kronikë të të gjitha specialiteteve që kanë nevojë për dieta të veçanta ushqyerje, specifike sipas patologjisë, me 10 konsulta në javë.
Urgjenca Pediatrike : është një strukturë filtër që i shërben gjithë shërbimeve të Pediatrisë. Përbëhet nga dy dhomat e vizitës ku çdo ditë paraqiten mesatarisht 300-330 fëmijë (në 1 muaj rreth 8500-9000 fëmijë) si dhe dhomat e spitalit ditor ku fëmijët vëzhgohen gjatë 24 orëshit dhe më pas në varësi të gjendjes shtrohen ose kthehen në shtëpi me mjekimin përkatës.
Pacientët e pediatrisë së përgjithshme janë kryesisht me probleme të gastroenteriteve akute, gjendjeve febrile të zgjatura me natyrë të pazgjidhur, intoksikacioneve si dhe me probleme pulmonare akute. Nga shtrimet e mësipërme rreth 34% e pacientëve paraqisnin gastroenterite të dehidrimeve të mesme e të rënda, 32% bronkopneumoni e bronkiolite, të tjera gjendje febrile dhe intoksikacione.
Objektivat
Shërbimi ka si synim për të ardhmen implementimin e protokolleve dhe evidencave më të mira mjekësore në aktivitetin e përditshëm profesional. Po mundësohen binjakëzime me shërbime të pediatrisë dhe sipas specialiteteve në vendet fqinje për zhvillimin e video-konferencave, shkëmbimin e eksperiencës dhe specializimin e stafit. Do të vazhdojë pjesëmarrja aktive në konferenca dhe kongrese kombëtare e ndërkombëtare. Objektivi ynë është zhvillimi i hemodinamikës kardiopediatrike, si dhe mundësimi i përdorimit të preparateve të reja biologjike për trajtimin e sëmundjeve reumatizmale kronike.