SHËRBIMI PEDIATRISE SË SPECIALITETEVE 2 (Gastro/Endokrino/Neuro/Okulistik)

Rreth Nesh

Shërbimi i Pediatrisë së Specialiteteve 2, përfshin këto specialitete: Gastroenterologji, Endokrinologji, Neurologji dhe Sëmundje metabolike për moshat pediatrike përfshirë dhe Qendrën e Sëmundjeve të Rralla.

Pranë këtij Shërbimi shtrohen fëmijë nga të gjitha këto specialitete por edhe të tjerë dhe kryhen konsultat e ambulatorëve në bazë të sistemit të referimit sipas ditëve përkatëse për çdo mjek.

Shërbimet e Ofruara

1- Endokrinologji dhe Diabetologji pediatrike

Në këtë specialitet ofrohet shërbimi ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve që vuajnë nga patologjitë e mëposhtme:

Diabeti i Sheqerit Tip I dhe II, çrregullimet e rritjes dhe zhvillimit, sëmundjet e gjendrës tiroide, puberteti dhe çrregullimet e tij, sëmundjet e hypofizës dhe neurohypofizës, sëmundjet e gjendrës mbiveshkore, keqformimet seksuale, gjendjet interseksuale, sëmundjet e metabolizmit të kockës etj. Gjithashtu, në këtë specialitet diagnostikohen e ndiqen edhe sindroma gjenetike të ndryshme. Në këtë specialitet është ngritur dhe funksionon edhe Kabineti i Edukimit të fëmijëve diabetikë dhe familjarëve të tyre për të përballuar sa më mirë këtë patologji.

Mjekët që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë specialitet janë:

D.Sh.M. Agim Gjikopulli dhe D.SH.M. Laurant Kollçaku.

2- Gastrohepatologjia dhe sëmundjet metabolike pediatrike

Trajtohen gjithë fëmijët që paraqesin patologji:

Të aparatit tretës: si coliti ulceroz, dhimbje barku, të vjella, hemoragji digjestive, konstipacion etj;

Të mëlçisë dhe rrugëve biliare: si ikteri dhe kolestaza neonatale, Hepatitet B, C, Hepatitet autoimune, etj;

Sëmundje metabolike si S. Gaucher, Glikogjenozat, Mukopolisakaridozat etj.

Ky specialitet ofron mundësi per kryerjen e ekzaminimeve endoskopike të aparatit tretës.

Mjekët që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë specialitet janë:

Prof. Paskal Cullufi, D.Sh.M. Virtut Velmishi, Dr. Ermira Dervishi.

3- Neuropediatria

Në këtë specialitet ofrohet shërbimi ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve që vuajnë nga patologjitë e mëposhtme: epilepsia, sëmundjet neuro-muskulare, crregullime të neurozhvillimit dhe probleme të shëndetit mendor, çrregullime cerebrovaskulare, tumore të trurit dhe sistemit nervor në përgjithësi.

Pranë këtij shërbimi funksionon edhe Punkti i Epilepsive në të cilin janë të regjistruar dhe ndiqen në kontrolle periodike rreth 2000 fëmijë në vit.

Në mbështetje të këtij specialiteti është edhe kabineti i Neurofiziologjisë.

Mjekët që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë specialitet janë:

D.Sh.M. Aida Bushati, Dr. Aferdita Tako; D.Sh.M, Armand Shehu, D.Sh.M. Sonila Tomori, Psikiatër për fëmijë dhe Adoleshentë.

4- Qendra e Sëmundjeve të Rralla

Në shërbimin tonë funksionon dhe Qendra e Sëmundjeve të Rralla e cila është fokusuar në ato sëmundje që prekin më pak se 1 në 2000 persona dhe disa prej tyre janë: Sëmundja Gaucer, Fabri, Glikogjenozat, MPS IV, Hunter (MPS II), sëmundja Pompe, Gillbert, Duchene etj. Duke patur një eksperiencë të gjatë në sëmundjet metabolike mjekët e shërbimit drejtuar nga profesor Cullufi, ofrojnë shërbim mjekësor për këto lloj sëmundjesh të rralla dhe ndjekje të tyre përgjatë jetës. Qendra e Sëmundjeve të Rralla siguron për pacientët diagnostikim mjekësor të saktë të sëmundjeve të rralla sa më herët në kohë të pacientëve, mjekim specifik apo mbështetës nëpërmjet grupit multidisiplinar përkatës për të sëmurët e moshave pediatrike dhe atyre më të rritur sipas rastit. Qendra po ashtu ka realizuar bashkëpunim me qendra homologe ndërkombëtare për zgjerim të eksperiencës dhe merr pjesë në një sërë aktivitetesh kërkimore shkencore.

Shërbimi ambulator

Mjekët e Shërbimit të Pediatrisë së Specialiteteve 2 (Gastroenterologji, Endokrinologji, Neurologji dhe Sëmundje metabolike) kryejnë konsulta ambulatore sipas sistemit të referimit, çdo ditë gjatë orëve 10:00-13:00 sipas grafikut më poshtë:

Mjekët Ditët
Prof. Paskal Cullufi E Hënë
E Mërkurë
E Premte
D.SH.M. Laurant Kollçaku E Martë
E Enjte
D.Sh.M. Aida Bushati E Hënë
E Enjte
Dr. Afërdita Tako E Martë
E Premte
D.Sh.M. Armand Shehu E Mërkurë
D.Sh.M. Sonila Tomori E Hënë
E Martë
E Enjte

Në kushte ambulatore po ashtu mjekët ofrojnë trajtim me barna dhe ndjekje të të sëmurëve kronikë me sëmundje të rralla, si p.sh., ata me sëmundjen Gaucher që marrin mjekim rregullisht në shërbimin tonë.

Gjej shërbimin në hartë: