Shërbimi i Urologjisë QSUT, realizohet ndërhyrja e vështirë dhe shumë e rrallë

06/05/2015

Rasti i parë në historinë e spitaleve tona që një gjendër mbiveshkore të hiqet kur është zmadhuar në 14 cm dhe peshon një kilogram.

 

Stafi i mjekëve në Shërbimin e Urologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë, ka kryer një intervent të vështirë dhe shumë të rrallë. Pas konsultimit të rastit në stafin e këtij shërbimi, pacientes Behare Rexhepi, 25-vjeçare nga Prishtina, i është hequr një tumor i surenales së djathtë. Operacioni që zgjati 3 orë kryesuar nga Prof. Mustafa Xhani, kirurgët Aurel Janko, Bilbil Hoxha, Gjergj Karamitri, anestezisti Prof.As. Rudin Domi dhe ekipi ndihmës i sallës së operacionit të Shërbimit të Urologjisë, ishte refuzuar nga Klinika Universitare e Kosovës dhe nga spitalet private në vendin tonë.

 

Rasti i Behare Rexhepit, është intervent i rrallë dhe i vështirë, pasi tumori kishte raporte shumë të ngushta me enë të mëdha të gjakut (dëmtimi i të cilave mund të jetë me pasoja fatale për pacientin), raporte të ngushta me organe jetësore për pacientin si veshka dhe mëlçia si dhe vështirësi anestetike të rëndësishme.

 

Është rasti i parë në historinë e spitaleve tona, që një gjendër mbiveshkore, e cila normalisht ka madhësi 1 cm, të hiqet kur është zmadhuar në 14 cm dhe peshon një kilogram. Vetëm një ekip i tillë multidimensional midis urologëve me përvojë të këtij shërbimi, anestezistëve dhe infermierëve, mund të garantojë një sukses të tillë operacioni. Ky intervent është në vazhdën e operacioneve të suksesshme të gjendrës mbiveshkore të bëra në Shërbimin e Urologjisë në QSUT si dhe operacioneve shumë të rralla siç janë heqja e veshkës për tumor renal me “tromb masiv në venën kava inferiore”. Ekipi i kirurgëve të këtij shërbimi ka kryer edhe ndërhyrjet e rëndësishme profesionale si “cisektomi radikale” dhe transplantet renale.

 

Pacientja aktualisht është në kushte shumë të mira shëndetësore, nën kujdesin intensiv të mjekëve dhe stafit infermieror dhe është në pritje të terapive shtesë në varësi të biopsisë.

 

“Nuk di si ti falenderoj mjekët dhe gjithë stafin e këtij shërbimi”,- shprehet Beharja, “që ditën pas operacionit u ngrita në këmbë dhe fillova të eci”. “Kam vajtur gjithandej në spitale publikë e private, në Shqipëri dhe Kosove, jam konsultuar me shumë mjekë, por vetëm këtu gjeta shpëtim. Nuk do t’jua harroj kurrë këtë shërbim dhe përkushtim që kanë treguar ndaj meje”, – thotë ajo.

Posted in Lajme by admin qsut