Kujdesi për shëndetin mendor të fëmijëve
Prof.Ass.Valbona Alikaj, mjeke psikiatre për fëmijë dhe adoleshentë
“Njerëzit duhet të dinë se nga truri dhe vetëm nga truri lindin kënaqësitë, gëzimet, të qeshurat dhe shakatë, ashtu si dhe hidhërimet, dhimbjet, brengat dhe frikërat tona. Në sajë të tij veçanërisht ne mendojmë, shikojmë, dëgjojmë…”- Hippocrates
Në 10 Tetor është dita Botërore e Shëndetit Mendor dhe një rëndësi e veçantë duhet t’i kushtohet kujdesit ndaj shëndetit mendor të fëmijëve. Çrregullimi mendor është një sjellje klinikisht domethënëse, sindromë psikologjike apo model sjelljeje që shoqërohet me shqetësim, me paaftësi, apo me një rrezik të shtuar vdekjeje, dhimbjeje, disabiliteti apo humbje të rëndësishme lirie. 5% deri 15% e fëmijëve gjatë jetës provojnë një çrregullim psikiatrik që është mjaftueshëm i theksuar për të kërkuar trajtim. Për fat të keq, shumë prej çrregullimeve të fëmijërisë kalojnë pa u kuptuar dhe pa u trajtuar, prandaj identifikimi i hershëm dhe trajtimi zë një vend të rëndësishëm. Çrregullimet që shihen më shpesh në klinikat e psikiatrisë së fëmijëve ose në mjediset e praktikës familjare përfshijnë çrregullime të zhvillimit intelektual, çrregullime të komunikimit, çrregullime të spektrit autik, çrregullimin e vëmendjes së pamjaftueshme dhe hiperaktivitetin (ADHD), çrregullimet specifike të të mësuarit dhe çrregullimet motore. Përveç këtyre, një pjesë e atyre çrregullimeve që hasen tek personat e rritur, zakonisht vihen re edhe te fëmijët, sikundër janë depresioni madhor, çrregullimi bipolar dhe rrallë skizofrenia.
Diagnozat e çrregullimeve mendore
15-25% e popullatës deri 18 vjeç preket përgjatë jetës së vet prej të paktën një çrregullimi të diagnostikueshëm. Çrregullimet që hasen më shpesh në praktikën klinike janë:
- Skizofrenia dhe çrregullimet e tjera psikotike – Simptomat e këtyre çrregullimeve janë: deluzione, haluçinacione apo të folur e mendime të çorganizuara.
- Sëmundjet depresive dhe ato bipolare.
- Çrregullimet anksioze ku përfshihet: përjetimi i shpeshtë i ankthit, sikletit e tensionit në intensitet e kohëzgjatje mjaft më të shtuar se ankthi i përjetuar prej njeriut të zakonshëm në jetën e përditshme.
- Çrregullimeve Somatoforme që janë shqetësime të mëdha për shëndetin, të pabazuara në funksionimin fizik apo analiza.
- Çrregullimet e ushqyerjes dhe ngrënies (anoreksia, bulimia etj).
- Çrregullimet e personalitetit – që kanë të bëjnë me një paketë sjelljesh dhe mënyrash të menduari që janë anormale dhe të papërshtatura.
Një aspekt kyç që ka filluar të njihet është se çrregullimet mendore janë sëmundje kronike të të rinjve. Sikundër do të dëshmonte cilido 17-vjeçar, dallimi ndërmjet fëmijërisë dhe moshës së rritur është arbitrar dhe shpesh luhatet në varësi të përgjigjes së nevojave të personit që e kërkon. Shumë prej çrregullimeve mendore shfaqen shpesh të fëmijët si psh. çrregullimet e humorit dhe të ankthit. Skizofrenia shfaqet shpesh gjatë adoleshencës dhe nganjëherë gjatë fëmijërisë. Përveç kësaj, çrregullimet e fëmijërisë si disabiliteti intelektual ose çrregullimi i spektrit autik mund të diagnostikohen në persona të rritur. Një grup çrregullimesh konsiderohen se janë relativisht specifike për fëmijët dhe adoleshentët, pasi këto çrregullime zakonisht shfaqen gjatë kësaj periudhe të jetës. Këto janë klasifikuar si çrregullimet e neurozhvillimit. Tipi më i zakonshëm i çregullimeve mendore për të rinjtë, janë veçanërisht çrregullimet psikotike, ato të gjendjes shpirtërore, të ankthit, të abuzimit dhe të personalitetit, të cilat kanë ndikimin fillestar dhe maksimal në adoleshencën e vonshme dhe jetën adulte të hershme.
Faktorët
Ndërsa simptomat variojnë dukshëm, çrregullimet mendore karakterizohen në pergjithësi nga disa turbullime të mendimeve, emocioneve sjelljes dhe marrëdhënieve anormale me njerëzit e tjerë. Dëshmitë shkencore moderne tregojnë se çrregullimet mendore dhe të sjelljes janë rrjedhojë e bashkëveprimit të gjenetikës dhe ambientit, me fjalë të tjera i bashkëveprimit të faktorëve biologjikë me ata psikologjikë dhe socialë. Nga periudha e paralindjes dhe gjatë gjithë jetës, gjenet dhe ambienti marrin pjesë në një varg bashkëveprimesh të pashmangshme. Këto bashkëveprime janë themelore në zhvillimin e çrregullimeve mendore dhe të sjelljes.
Masat parandaluese për kujdesinEkzaminimi i faktorëve të riskut ka zbuluar se shumë nga këto çrregullime mund të jenë të kthyeshme. Për shembull, përçarja e rrethit të bashkëmoshatarëve dhe atij familjar, ndodhin afër madje edhe para fillimit të episodit të parë psikotik. Vëmendja ndaj këtyre sferave të jetës, si pjesë e trajtimit, ka potencialin që të kufizojë apo të riparojë dëmtimin. Depresioni bashkëkzistues, përdorimi i substancave, problemet e personalitetit dhe çrregullimi i stresit post-traumatik (PTSD) janë të gjithë faktorë të cilët mund të ndikojnë në përmirësim, te një person me episodin e parë të psikozës. Ndërhyrja e hershme dhe e gjerë mund të kapë pacientet në stadin e tyre parapsikotik dhe mundësisht të parandalojë ose vonojë kalimin e tyre në psikozë. Ёshtё me vlerё tё reflektojmё se si ajo ç’ka deri tani ishte e pabesueshme – parandalimi i skizofrenisё – ёshtё bёrё e besueshme, ndonёse akoma jo e arritshme. Aktualisht, mё e mira qё ne mund tё synojmё ёshtё parandalimi – ndёrhyrja sekondare nё individёt tё cilёt tashmё janё simptomatikё dhe me dёmtim tё funksionimit, pёr tё reduktuar gjasat e pёrkeqёsimit tё gjendjes sё tyre. Kujdesi për pacientët me rrezik shumë të lartë fokusohet në trajtimin e simptomave të ndryshme dhe deficiteve funksionale, pa pritur për një diagnozë strukturale. Në shekullin e 21, qëllimi i trajtimit të hershëm duhet të jetë shërim sa më i plotë i mundshëm, ku njerëzit në çdo stad të skizofrenisë do të konsiderohen si njerëz që mund të arsimohen, të punësohen dhe të jenë të aftë të jetojnë një jetë normale.
Rëndësia e identifikimit dhe trajtimit të hershëm
Sëmundjet mendore janë ndërmjet sëmundjeve klinikisht më të rëndësishme, katër prej sëmundjeve mendore: depresioni, çrregullimi i përdorimit të alkoolit, çrregullimi bipolar dhe skizofrenia janë ndër 10 sëmundjet kryesore që prekin njerëzit e moshave 15 deri 44 vjeç. Për shkak se dëmtimet e shkaktuara janë gjithashtu pasojë e sëmundjes mendore, 5 nga 10 shkaqet kryesore të dizabilitetit në botë i atribuohen çrregullimeve mendore. Në këtë rast mesazhi është i qartë: mjekët dhe prindërit nuk mund t’i lejojnë vetes më të injorojnë sëmundjet mendore. Çdo mjek duhet të mësojë të identifikojë sa më shpejt, të diagnostikojë sëmundjet mendore, të ofrojë mjekim ose t’i referojë tek specialisti. Identifikimi dhe trajtimi i hershëm i sëmundjeve mendore është bërë në botë një prej lëvizjeve më të rëndësishme, të viteve të fundit. Ndërhyrja e hershme është një term që të ngatërron, pasi ato mund të identifikohen vetëm përmes simptomave ose kombinimit të simptomave. Veç kësaj, është i vështirë të identifikohet fillimi i çrregullimit psikotik. Shumica e pengesave në ndërhyrjen e hershme janë të njëjtat që pengojnë progresin në shëndetin mendor më shumë: turpi, pesimizmi, heshtja që rrethojnë të sëmurët mendor dhe një dështim konsekuent për të investuar.