Shërbimi i Sëmundjeve Infektive QSUT: Bëni kujdes që vala e të nxehtit të mos rrezikojë shëndetin tuaj apo të të afërmve! Këshilla për fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë…
Stina e verës, veçanërisht muajt Korrik dhe Gusht shoqërohen me temperatura të larta. Këtë verë ndryshe nga vitet e tjera temperaturat janë edhe më të larta, madje mbi 40 gradë Celsius, të cilat vështirësojnë ambjentimin por dhe funksionimin normal të organizmit të njeriut.
Edhe më të vështire e kanë ambjentimin me temperaturat e larta fëmijet e vegjël, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë, sidomos të sëmurët më sëmundje kardio vaskulare, pulmonare dhe të Sistemit Nervor Qendror.
Në këto kushte, Shërbimi i Sëmundjeve Infektive në QSUT rekomandon që të gjithë qytetarët, por veçanërisht fëmijët e vegjël, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë:
- Të mos ekspozohen në diell në pikun e tij, nga ora 10.00 deri në 16.00.
- Edhe qëndrimi nën çadër, pra në plazh, nuk rekomandohet pasi ajri është tejet i thatë, i nxehtë dhe rrezet x të diellit e depertojnë çadrën.
- Të konsumohen sasi të bollshme uji gjatë gjithë ditës, sa herë të kemi ndjenjën e etjes.
- Të përdoren kremra hidratues dhe mbrojtës me faktorë të lartë për lëkurën.
- Kujdes me nishanet, ato duhet të mos ekspozohen në diell, të mbrohen me kremra me faktorë të lartë mbrojtës 40-50, ose me mbrojtës të veçantë për diellin që ofrohen në farmaci.
- Sa herë që dalim në diell të vendosim kapele dhe syze dielli.
- Pas orës 10 mundësisht të veshim bluza të holla, të lehta, të bardha ose me ngjyra të çelëta.
- Kujdes me ushqimin, ai duhet te jetë gjithnjë i gatuar dhe konsumuar i freskët ose i ruajtur ne frigorifer, por gjithnjë të konsumohet Brenda ditës.
- Kujdes me frutat dhe zarzavatet, ato duhet të jenë të freskëta dhe të lara mirë me ujë të rrjedhshëm.
- KUJDES, KUJDES, KUJDES me higjenën e duarve, lajini sa me shpesh ato gjatë ditës me ujë dhe sapun.
- Kujdes kur hyni në ujë, kontakti me ujin duhet të jetë gradual sado i ngrohtë t’ju duket uji i detit apo liqenit.
- Të sëmurët kronikë para se të vendosin të shkojnë me pushime duhet të kontaktojnë mjekun e tyre, të sigurohen që i kanë medikamentet e nevojshme me vete, të këshillohen për dozat dhe kohë zgjatjen e mjekimit.
- Mos harroni, mjeku juaj është një telefonatë larg jush dhe qendra shendetësore disa hapa larg.
- Kujdes, i nxehti vret.