SUT, Fuqizohen strukturat mjekësore të Shërbimit të Onkologjisë

21/10/2014

8 mjekë onkologë dhe dy mamografi të lëvizshme janë vënë në dispozicion të Shërbimit Onkologjik me qëllim parandalimin e sëmundjeve tumorale.

Në ditën ndërkombëtare të depistimit të kancerit të gjirit ku në Shërbimin Onkologjik në QSUT është duke u ofruar falas ekzaminimi për kancerin e gjirit, rezulton të jenë kryer deri më tani 250 ekzaminime të grave dhe janë regjistruar 600 të tjera që janë ndërgjegjësuar për të bërë kontrollet.

Drejtorja e QSUT shpjegon se është përmirësuar ndjeshëm dhe furnizimi me medikamente të citostatikëve për pacientët me sëmundje tumorale.

“Janë të regjistruar rreth 4400 raste të reja tumorale në vit, ndërkohë prej tyre 450 raste të reja janë identifikuar me tumorin e gjirit. Si qendër kombëtare unike në trajtimin e tumoreve kemi marrë masat për furnizimin e vazhdueshëm me kimiopreparate, specifikisht duke rritur 2,5 herë sasinë e citostatikëve, konkretisht të kimiopreparatit që lufton këtë sëmundje, duke mbuluar kështu nevojat në rritje të saj. Kemi fuqizuar strukturat mjekësore të Shërbimit Onkologjik, duke punësuar 4 mjekë të rinj në QSUT, për të shtuar dhe garantuar shërbimin cilësor në këtë spital”, u shpreh drejtoresha Ogerta Manastirliu.

Shefi i Shërbimit të Onkologjisë falënderoi për lehtësirat e krijuara deri më tani, si për sa i përket furnizimit me medikamente për pacientët me sëmundje tumorale, por dhe për mjekët e rinj onkologë, që do të shërbejnë për herë të parë në dy maternitetet e Tiranës, në Senatorium dhe në Spitalin e Durrësit, te të cilët deri më tani nuk ka pasur mjekë të specializuar për këtë qëllim.

“Me një vizion të ri, Ministria e Shëndetësisë po krijon qendra satelite të sektorëve të Onkologjisë dhe në rrethet kryesore të vendit dhe kjo është një pikë mjaft e rëndësishme sepse deri më sot kanë qenë sforco të mëdha të stafit të Shërbimit të Onkologjisë për të përballuar fluksin kombëtar”, deklaroi Agim Sallaku, shef i Shërbimit Onkologjik, QSUT.

Ministri i Shëndetësisë deklaroi se vetëm këtë muaj është bërë një punë e mirë diagnostikuese, aq sa nuk është bërë përgjatë gjithë vitit 2013. Vënia në punë e dy mamografive të lëvizshme do t’u japë mundësinë grave në zonat rurale të ekzaminohen falas.

“Mbulimi universal, ku synojmë të arrijmë, nuk mund të arrihet pa parandalim dhe diagnostikim të hershëm. Besoj se në këto 12 muaj kemi bërë punë me arritje konkrete edhe në këtë drejtim. Që në fillim të vitit vendosëm që të kishim pjesë të sistemit tonë edhe 2 mamografë të lëvizshëm, të cilët enkas po i çojmë në ISHP vitin e ardhshëm, institucion që ka si mision parandalimin. Duke i çuar atje, kemi vendosur tashmë që këto shërbime të jenë pa pagesë”, tha ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj.

Sëmundjet tumorale janë ndër shkaktarët kryesorë të vdekshmërisë në vend, pasi deri më tani ato janë kapur vonë në kohë.

Në vijim, fjala e plotë e drejtuesve të sistemit të kujdesit shëndetësor të pranishëm në takim.

zj. Ogerta Manastirliu, Drejtor i Përgjithshëm QSUT:

Sot, në Ditën Kombëtare të Luftës kundër Kancerit të Gjirit, kemi kënaqësinë të themi se, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” është angazhuar me të gjitha kapacitetet e saj njerëzore dhe materiale në disa drejtime. Ashtu siç e dini, sipas regjistrit ndërspitalor në QSU, janë të regjistruar 4400 raste të reja tumoresh në vit, ndërkohë prej tyre 450 raste të reja janë të identifikuar me tumorin e gjirit.

Si qendër kombëtare unike në trajtimin e tumoreve, kemi marrë masa për furnizimin e vazhdueshëm me kimiopreparate, specifikisht, duke rritur 2.5 herë sasinë e citostatikëve dhe specifikisht të Herceptinës apo Trastuzumabit, kimiopreparati që lufton këtë sëmundje dhe duke mbuluar kështu nevojat në rritje të saj.

Gjithashtu, duke rritur 1.5 herë edhe citostatikët e tjerë. Kemi fuqizuar strukturat mjekësore të shërbimit onkologjik, duke punësuar  4 (katër) mjekë të rinj në QSUT, për të shtuar dhe garantuar shërbimin cilësor në këtë spital, si edhe në spitalin ditor pranë këtij shërbimi.

Prej 1 Tetorit, në mbështetje të fushatës së Ministrisë së Shëndetësisë, me qëllim parandalimin, me qëllim diagnostikimin e hershëm të kësaj sëmundje, kemi vënë në dispozicion kapacitetet tona mjekësore për mamografitë dhe eko të gjirit falas, për gratë mbi 45-50 vjeç, prej orës 2 deri në orën 8 të mbrëmjes, në bashkëpunim të ngushtë me drëjtorinë arsimore, me targetin e kontrollit të arsimtarëve.

Por, sigurisht, duke përfshirë të gjitha gratë, të cilat kanë kërkuar të diagnostikohen dhe të bëjnë kontrollin e hershëm pranë QSUT-së. deri më sot, llogariten që janë depistuar rreth 250 gra dhe kërkesat janë në rritje. Rreth 600 të tjera janë regjistruar dhe kërkojnë të kontrollohen për sa i përket depistimit të hershëm, çfarë do të thotë se, fushata dhe aktivitetet e zhvilluara gjatë kësaj periudhe ia kanë dalë të rrisin ndërgjegjësimin e grave për parandalimin dhe kontrollin e hershëm. Strukturat tona janë në mbështetje të një jete të shëndetshme, sa më pak njerëz të trajtohen në spitale nga sëmundje që mund të parandalohen, për një jetë aktive dhe më solidare.

Dr. Agim Sallaku, Shef i Shërbimit të Onkologjisë QSUT:

Si mjek i vjetër më vjen mirë që shoh një progres të vazhdueshëm të cilësisë së shërbimit në Qendrën Spitalore Universitare dhe konkretisht në shërbimin e onkologjisë. Mund të them që sinqerisht, që vitin e fundit, ne si mjekë jemi ndjerë shumë më të ngrohtë për të ofruar kujdesin tonë, si pasojë e rritjes së sasisë së citostatikëve. Dhe po ndjehemi shumë mirë, sepse për pak kohë po fillon ndërtimi i një strukture të re të radioterapisë, ku aparaturat bashkëkohore do të përmirësojnë ndjeshëm kualitetin e shërbimit.

Një gjë shumë të mirë që shoh unë, Ministria e Shëndetësisë me një vizion të ri, po krijon qendra satellite të sektorëve të onkologjisë dhe në rrethet kryesore të vendit. Kjo është një pikë shumë e rëndësishme, sepse deri më sot kanë qenë sforco të mëdha të stafit të shërbimit të onkologjisë për të përballuar fluksin mbarë kombëtar, bile edhe jashtë vendit ka shumë pacientë, për një trajtim… ju e kuptoni që numri është i madh dhe rëndon mbi kualitetin e shërbimit. Pikërisht për këtë, shumë shpejt fillojnë qendra të reja satelite, që do të jenë për një kohë të shkurtër në supervizionin tonë dhe pastaj do të veprojnë totalisht në mënyrë autonome, për të rritur kualitetin e shërbimit ndaj të sëmurëve me kancer, edhe në spitalet e tjera të rëndësishme.

z. Arjan Bregu, Drejtor i Institutit të Shëndetit Publik:

Instituti i Shëndetit Publik përgjatë muajit Tetor, por jo vetëm, në një bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë, për të ndërgjegjësuar sa të jetë e mundur të gjitha gratë dhe vajzat, të cilat kanë nevojë për të marrë një shërbim të mamografisë. Tashmë e dimë, se mënyra pothuajse e vetme dhe e sukseshme në luftën kundër kancerit të gjirit, është parandalimi dhe zbulimi i hershëm i kësaj sëmundje. Në funksion të kësaj, shërbejnë edhe mjekët e sapoemëruar në Qendrën Spitalore Universitare dhe në disa spitale të tjera rajonale, po ashtu edhe infrastruktura që ka ardhur në përmirësim të vazhdueshëm.

Për këtë mund të themi edhe për dy mamografët e lëvizshëm që kanë kaluar në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” dhe shumë shpejt do të jenë në terren, duke i paraprirë një programi të qartë që ka bërë Instituti i Shëndetit Publik, për të kapur ato zona që aktualisht nuk kanë akses në shërbimin shëndetësor për të marrë shërbimin e mamografisë.

Së fundmi, doja të falenderoja të gjithë ju, Ministrinë e Shëndetësisë, Qeverinë Shqiptarë që ka bërë të gjitha përpjekjet maksimale për të ofruar infrastrukturën e duhur të nevojshme për të luftuar këtë sëmundje dhe do të doja të stimuloja të gjitha gratë dhe vajzat në këto ditë, por jo vetëm, për tu drejtuar në qendrat shëndetësore për të bërë një diagnostikim të hershëm të kancerit të gjirit.

z. Ilir Beqaj, Ministër i Shëndetësisë:

Sot është Dita Kombëtare e Ndërgjegjësimit të Kancerit të Gjirit, që është brenda muajit Tetor, që është Muaji i Ndërgjegjësimit të Kancerit të Gjirit. Në fakt, Tetori përkon praktikisht me plotësimin e 12 muajve të parë të qeverisjes dhe të detyrës time si ministër. Unë besoj se në këto 12 muaj, jemi në gjendje t’ju tregojmë se çfarë kemi arritur për të përmbushur angazhimet programore, angazhime për të cilat shqiptarët na votuan.

Në këtë “Infografik” besoj se janë përmbledhur në mënyrë sinjifikative, por unë besoj se në program, dy janë angazhimet kryesore: Së pari, ne jemi angazhuar që, Mbulimi Universal ku ne synojmë të arrijmë, nuk mund të arrihet pa parandalim dhe diagnostikim të hershëm. Dhe besoj se në këto 12 muaj kemi bërë punë me arritje konkrete dhe në këtë drejtim.

Jo vetëm për kancerin e gjirit, por unë besoj se edhe Programi i Kontrollit Bazë, i cili do të fillojë shumë shpejt do të realizohet, pasi më në fund është përzgjedhur edhe operatori që do të ndihmojë në ofrimin e këtij shërbimi, ne do të sjellim një kulturë  të re. do të sjellim një kulturë të re të kujdesit të shqiptarëve për shëndetin, të spostimit të vëmendjes së ndërtimit në mënyrë tradicionale të sistemit të kujdesit shëndetësor, nga sëmundja tek shëndeti dhe padyshim duke synuar të thyejmë barrierat. Ne kemi ende barriera financiare, barriera gjeografike, por edhe barrier kulturore. Që barrierat financiare duhet t’i thyejmë, bashkë me barrierat kulturore, e tregon çfarë po ndodh gjatë këtij muaji.

Pak ditë se të mbyllej shtatori, unë kam nxjerrë një urdhër, që në muajin Tetor, që përkonte me ndërgjegjësimin e kancerit të gjirit, ekzaminimet mamografike do të ishin jo nga sistemi i referimit, por do të ishin në mënyrë vullnetare, dhe pavarësisht nëse personi paguan ose jo. Mund t’ju them që, deri dje me datën 20, që përveç aparatit që është në spitalin tonë onkologjik, që kryen edhe punë të tjera, nëpër rrethe është realizuar në 20 ditë, më shumë se ç’është bërë nga 1 Janari deri me 30 Shtator 2014, apo më shumë se ç’është bërë gjithë vitin 2013.

Por, ende mbetet le të themi, një ekzaminim urban. Kjo është arsyeja që në fillim të vitit, vendosëm që të kishim si pjesë e sistemit tonë edhe dy mamografë të lëvizshëm, të cilët enkas po i çojmë në ISHP vitin e ardhshëm. ISHP-ja ka si mision parandalimin, pra duke i çuar në ISHP, e kemi vendosur tashmë që ato janë shërbime pa pagesë. Por, punë kemi bërë edhe në drejtime të tjera, që mund të duken më pak të dukshme. Unë besoj se një bazë shumë e mirë, është vendimi i qeverisë i muajit maj, për “Krijimin e regjistrave kombëtare të sëmundjeve”, të gjitha sëmundjeve në Shqipëri, por padyshim edhe të sëmundjeve tumorale. Apo, fuqizimi i spitaleve tona me burime njerëzore profesionale.

Ne na mungojnë jashtë Tirane sot 300 mjekë specialistë. Por, të paktën, për fat të mirë, gjatë këtij viti krijuam fondet e mjaftueshme, që të kishim hapësirat për të punësuar mjekë onkologë, të cilët janë sot këtu. Në fillim unë dua t’i falenderoj që kanë zgjedhur këtë specialitet dhe pastaj t’i falënderoj dhe t’i uroj suksese në punën e tyre. Sepse ne sot kemi mjekë të punësuar rishtaz në QSUT, në dy maternitetet, në Sanatorium dhe në Durrës.

Nesër, hapim kabinetin e kimioterapisë edhe në qytetin e Durrësit. Me paratë që u rialokuan në buxhet në shtator, kemi filluar proçedurat, që në fillim të vitit, ta rihapim në Sanatorium, në Korçë, në Vlorë, në Elbasan dhe në Shkodër. Sepse, realisht ngarkesa e sotme, është e pamundur të realizohet në spitalin onkologjik. Unë e di, që ka njerëz që janë të pakënaqur me cilësinë e shërbimit që ofrohet në atë spital, por realisht, ata që janë aty, bëjnë heroizëm, sepse praktisht volumin e punës, e kanë të pamundur.

Ne jemi përpjekur të paktën që të furnizojmë më shumë me barna, të mos krijojmë boshllëqë në furnizim, të ketë vijimësi, të ketë vijimësi në funksionimin e kobaltoterapisë dhe besoj se, edhe vitin e ardshëm, vënia në punë e akseleratorit linear për atë spital, është prapë një vlerë e shtuar edhe në funksion të radioterapisë. Dje është zhvilluar proçedura e hapur e prokurimit për ndërtimin e bunkerit, pajisja vetë është e miratuar me një kredi austriake  të miratuar nga Kuvendi, në muajin shkurt apo mars, në mos gaboj.

Kështu që, në këto 12 muaj, 180 gradë nga parandalimi deri te kujdesi paliativ, sepse të gjithë e dini që javën e kaluar miratuam edhe Ligjin e Kujdesit Paliativ, ofrojmë për këtë grup sëmundjet, që është një nga dy grup sëmundjet, jo vetëm me më shumë kosto sociale dhe ekonomike në shëndetësi dhe në Shqipëri, por edhe nga dy grup sëmundjet, që janë përcaktuar edhe në programin e qeverisë, ku ne do të synojmë më shumë. Kështu që, besoj se ajo çfarë kemi bërë, është e dukshme, e prekshme, por padyshim, nuk është ajo çfarë shqiptarët meritojnë, apo ajo çfarë ne jemi angazhuar të realizojmë për katër vjet.

Nuk dua ta zgjas më shumë, dua të ftoj të gjithë ju, por edhe mediat, që të shohin dy aparaturat e lëvizshme, të cilat e thashë:  “Do të përdoren gjatë këtij muaji për të plotësuar nevojat shumë të rritura, sidomos në 10 ditët e fundit për këtë ekzaminim. Dhe pastaj, nga 1 Janari, ato do t’i shërbejnë të gjithë territorit të Shqipërisë, në bazë të një programi pune, që Instituti i Shëndetit Publik do të hartojë për këtë qëllim.

Faleminderit!

 

Posted in Lajme by admin qsut