“Atë që kemi menduar para 10 viteve, atë që e kemi realizuar para 8 viteve në Kosovë, sot e kemi dhe në Shqipëri shumë më madhështore. Ne bashkuam mjekësinë shqiptare kudo që të jetë, u bëmë pjesë e botës mjekësore dhe nuk do të jemi të panjohur. Ne do të jemi prezent në të gjitha konferencat e botës dhe të gjitha konferencat ndërkombëtare do të jenë tek ne, pa humbur kohë duke shkuar nëpër botë”
Prof. Rifat Latifi, 2010
Qëllimi i projektit
- Të ofrojë shërbime të telekonsultës dhe teleprezencës në funksion të kujdesit klinik për pacinetët;
- Të ofrojë shërbime të edukimit të vazhdueshëm mjekësor në distancë për mjekët, infermierët dhe personelin tjetër të spitaleve dhe krejt sistemit shëndetësor shqiptar;
- Të ofrojë shërbimet e biblotekës elektronike në funksion të punës kërkimore, shkencore dhe aktivitetit profesional të personelit mjekësor.
Përkufizime
Telemjekësia është ofrimi i shërbimit mjekësor nga distanca, përmes përdorimit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit elektronik që mundëson shkëmbimin e informacioneve shëndetësore të dobishme për diagnozën, trajnimin dhe parandalimin e sëmundjeve dhe lëndimeve, për kërkim dhe punë shkencore, si dhe për edukim të vazhdueshëm të personelit mjekësor e gjithë kjo në interes të përmirësimit dhe zhvillimit të plotë të shëndetit të individëve dhe komuniteteve (OBSH,1997).
Telekonsulta dhe teleprezenca është përdorimi i teknologjisë së telemjekësisë për të mundësuar mjekun të vlerësoje në distancë gjendjen shëndetësore të pacientit.
Edukimi i Vazhdueshëm Mjekësor në distancë përfshin të gjithë ato veprimtari të EMV të cilat realizohen në kushtet kur edukuesi dhe pjesëmarrësit ndodhen në distancë dhe informacioni transmetohet nëpërmjet teknologjive të informimit dhe komunikimit
Biblioteka elektronike është një bibliotekë e cila grumbullon dhe ruan materialet në format elektronik në vend të formateve klasike në letër, mikrofilm ose media të ndryshme.Këto material mund të ruhen lokalisht ose në rrjetet komjuterike në distancë dhe janë të aksesueshëm në kompjuter.
Fillimi i projektit
Në muajin dhjetor 2010 International Virtual E-Hospital Foundation (IVeH) në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me Mbështetjen e USAID Albania përfunduar fazën e parë të programit të integruar të telemjekësisë dhe shëndetit elektronik (PITSHE) në Shqipëri. Kjo fazë konsistoi në vendosjen në operim të plotë të Qendrës së Përkohshme Kombëtare të Telemjekësisë në Tiranë dhe pesë qendrave të përkohshme rajonale të telemjekësisë pranë spitaleve rajonale Kukës, Shkodër, Durrës, Korcë dhe Vlorë.
PITSHE drejtohet nga Prof. Rifat Latifi, ekspert ndërkombëtar i telemjekësisë dhe profesor i kirurgjisë, traumatologjisë dhe kujdesit intensive kirurgjikal.
Qendra e Telemjekësisë së Shqipërisë funksionon në mjediset e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë. Ajo drejtohet nga koordinatori i programit të telëmjekësisë së Shqipërisë dhe ka në përbërje një staf të kualifikuar mjekësh, specialistë të teknologjisë së informimit dhe komunikimit si dhe staf tjetër mbështetës.
QTSH lidhet me qendra rajonale të telemjekësisë me internet me bandë të gjerë dhe siguri lidhjeje 99.9%. Terminalet locale të qendrës së telemjekësisë së Shqipërisë vendosen pranë klinikave dhe shërbimeve të ndryshme brenda territorit të QSUNT, nëpërmjet rrjetit të fibrave optike që bashkon klinikat dhe shërbimet e QSUNT.
Përfitime
Qendra shërben si bazë për telemjekësinë kombëtare në Shqipëri dhe është konceptuar për të adresuar çështjet e qasjes rurale, kujdesin për pacientin, dhe të edukimit mjekësor për profesionistët e shëndetësisë. Këto qendra kanë kapacitet për tu lidhur në mënyrë elektronike me spitalet ndërkombëtare dhe universitetet mjekësore. Deri tani projekti ka lehtësuar partneritetin me disa spitale dhe universitete ndërkombëtare.