Kujdesi për fëmijët e vegjël dhe të rriturit
Dr.Klevis Thomai, mjek kirurg në Shërbimin O.R.L
Trupat e huaj janë sende të cilat ngelin në pjesë të ndryshme të organizmit. Ndonjëherë mund të jenë edhe pjesë të vet organizimit si psh, një dhëmb i cili mund të aspirohet dhe të shkojë në mushkëri. Trupat e huaj, përveç mushkërisë mund të ngelin në ezofag, në hundë apo veshë. Ato ndahen në dy kategori: trupa të huaj në rrugë ajrore që përfshin hundë, laring dhe mushkëri dhe trupa të huaj në rrugë digjestive që janë në fundit e gojës dhe në ezofag.
Trupat e huaj ndahen në organikë dhe joorganikë. Në trupat organikë futen mishi, fruta apo kocka të ndryshme, të cilët ngelin zakonisht në ezofag ku më të rrezikshme për ezofagun janë kockat apo mishi me kockë, pasi kocka mund të çajë ezofagun dhe të japë kompikacione të rrezikshme. Ndër ushqimet qe ngelin në rrugët ajrore janë kryesisht farat e të gjitha llojeve, arra, kikirik, lajthi dhe këto ndodhin kryesisht te fëmijët e vegjël. Trupat organikë ngelin më shumë në rrugët ajrore tek fëmijët, flitet gjithmonë për ushqime që ata mund t’i thithin kur i hanë, si psh shega apo ushqime të tjera të vogla të kësaj natyre. Por, në rrugët ajrore mund të përfundojnë edhe trupa jorganikë siç janë sende apo lodrat e fëmijëve. Më të rrezikshme ndër to janë gjilpërat, pineskat, paramandat, të cilat fëmijët mund t’i mbajnë në gojë dhe i aspirojnë pa dashje. Paramanda paraqet një rrezikshmëri të lartë pasi mund të hapet pasi është aspiruar dhe ka përfunduar në mushkëri apo ezofag dhe është shumë e vështirë për t’u hequr. Trupat joorganik janë lodrat e ndryshme të fëmijëve, ku më e shpeshta te fëmijët e vegjël janë monedhat, kurse tek të rriturit më e shpeshta është proteza dentare si dhe bateritë. Bateritë kanë rrezikshmëri të lartë pasi brenda 6 orësh mund të derdhen në ezofag lëndët e batërisë dhe mund të shkaktojnë shpim të ezofagut, gjë që mund të japë komplikacione dhe rrezikshmëri shumë të lartë.
Simptomat tek moshat pediatrike
Duke nisur nga foshnjat 6-muajshe, trupat e huaj, mund të ndodhin në të gjitha moshat, sigurisht që pjesa më e madhe janë moshat pediatrike. Më shumë rastet e gjendjes së trupave të huaj në rrugët ajrore janë te fëmijët e vegjël dhe këto trupa janë kikirikë apo arra që shkaktojnë bllokim të mushkërisë dhe shpesh këta fëmijë kanë ardhur në shërbimin tonë në gjendje shumë të rëndë. Më të rralla janë lodrat dhe kockat që mund të ngelin në rrugët e frymëmarrjes të këta fëmijë. Ndërkohë trupat e huaj në rrugët digjestike tek fëmijët e vegjël kanë qenë kryesisht monedhat. Tek të rritur rasti më i shpeshtë është mishi në ezofag, pra në rrugët e ushqimit dhe që vjen nga gëlltitja e mishit pa e përtypur atë. Më të rrezikshme për të rriturit janë protezat, kryesisht modelet e vjetra me tela, pasi ato nëse arrijnë në ezofag mund ta shpojnë atë, duke shkaktuar edhe vdekje. Problemi më i madh tek fëmijët e vegjël paraqitet kur trupat e huaj bllokojnë rrugët ajrore, pasi mund të mbyten. Fëmijët nga 0-3 vjeç duhet të jenë gjithmonë në mbikqyrjen e të rriturit. Në të gjitha protokollet ndërkombëtare pyetja e parë që shtrohet në rastet e fëmijëve, kur jepet ndihma mjekësore, është nëse ka pasur ndonjë njeri të pranishëm me fëmijën, në momentin që ka ndodhur aspirimi apo gëlltitja e sendit. Kjo për të kuptuar situatën. Nëse fëmija ka kapërcyer një kopsë të vogël, që zakonisht shkon në rrugët e ushqimit. nuk ka asnjë lloj problemi, por nëse kopsa ka qenë aq e madhe sa mos të ketë kaluar në rrugët e ushqimit, fëmija ka ndjesinë e të vjellit pasi vet organizmi kërkon ta nxjerrë kopsën, shtohet pështyma në gojë dhe nëse ha ushqime të forta ato do t’i kthehen mbrapsht prej kopsës, pasi nuk kalojnë dot poshtë. Në këtë rast paraqitesh në spital. Bëhet diagnostiki i saktë nëpërmjet grafisë dhe sipas rastit realizohet edhe ndërhyrja.
Nëqoftëse trupi i huaj kalon në rrugët ajrore atëherë situata është shumë më dramatike. Trupi i huaj fillimisht kalon në laring dhe e bllokon atë, duke shkaktuar marrje të frymës dhe nxirrje për 2-3 min më pas laringu hapet dhe trupi i huaj në varësi të madhësisë mund të kalojë në mushkëri. Ky është një moment shumë i veçantë kur duhet ruajtur qetësia dhe nuk duhen futur duart në gojë. Ka manovra të veçanta, siç është manovra Heimlich për t’i nxjerrë fëmijës trupin e huaj të ngecur mbi apo në laring, të cilat mund të bëhen nga të afërmit e fëmijës sepse mund të mos mjaftojë koha për ta çuar fëmijën në spital, sidomos nëse trupi i huaj është shumë i madh. Gjithë kjo ndërhyrje duhet të ndodh në harkun e 2-3 min për të mos lejuar trupin e huaj të kalojë në mushkëri. Nëse trupi i huaj e kapërcen laringun dhe kalon në mushkëri, situata lehtësohet për momentin, fëmija arrin të marrë frymë por do të ketë gjatë gjithë kohës marrje fryme dhe kollë pasi mushkria reagon ndaj trupit të huaj për ta nxjerrë atë jashtë dhe mekanizmi i vetëm që ka është kolla. Një trup i huaj në mushkëri, kërkon një ndërhyrje emergjente nga mjeku, pasi ai mund të bllokojë të gjithë mushkërinë nga oksigjenimi dhe fëmija të humbasi jetën për 3 minuta.
Simptomat tek të rriturit
Simptomat edhe tek të rriturit janë të njëjta me fëmijët, me ndryshimin e vetëm që i rrituri e shpreh vet situatën se çfarë ka gëlltitur dhe se ku mund të ndodhet objekti. Për të thelluar diagnozën bëhen edhe ekzaminimet radiologjike më pas, psh një grafi me kontrast që shikon kalueshmërinë e kontrastit në ezofagut. Një formë tjetër diagnostimi është edhe fibro-ezofagoskopia. Grafia aplikohet edhe te fëmijët, në rastet kur trupat e huaj ngelin në ezofag.
Ndërhyrja kirurgjikale
Ndërhyrja për të hequr një trup të huaj zgjat nga 5 minuta deri në 5 orë. Ndërhyrjet e vështira që zgjasin 5 orë janë rastet kur një turp i huaj i apiruar ka ngelur në mushkëri, flasim këtu kryesisht për fëmijët të cilët mund të kalojnë ushqime të forta si kikirika. Në këtë rast trupi i huaj shkatërohet në mushkëri pra ndahet në pjesë të vogla dhe nxirret me copa të vogla, pasi punohet me vegla shumë të vogla.
Ndërhyrjet për të hequr trupat e huaj në organizëm bëhen vetëm në Shërbimin e ORL në Spitalin Francez në QSU “Nënë Tereza”, pra asnjë spital tjetër nuk i kryen ato. Ato bëhet me anestezi gjenerale dhe teknikat janë shumë delikate. Teknika e ndërhyrjes bëhet me endoskopi rigide (pra me tubë të fortë, jofleksibël) dhe prandaj janë shumë të vështira pasi punohet në vende të buta si ezofagu apo mushkëria me tuba metalik. Këto teknika paraqesin edhe rrezikshëri të lartë. Sa më shpejt të paraqitet pacienti në spital aq më i lehtë do të jetë edhe rikuperimi i tij pasi ndërhyrjes.
Pasojat që sjellin trupat e huaj në organizëm
Trupat e huaj në ezofag kanë tendencë të dobësojnë muret e ezofagut deri në rrezikun për ta shpuar atë. Shpimi i ezofagut çon në daljen e lëngjeve në kraharor e cila ka një vdekshmëri mbi 50% të rasteve, nëse ndodh si fenomen. Fatmirësisht në vitet e fundit nuk kemi pasur asnjë rast vdekjeje nga kjo diagnozë apo të tjera lidhur me trupat e huaj në organizëm. Ndërkohë trupat e huaj në mushkëri përveç rastit kur bllojnë të gjithë mushkërinë dhe shkaktojnë humbjen e jetës, shkaktojnë edhe dëmtim në formën e infeksioneve të përsëritura, kollë e zgjatur, temperaturë deri në bllokim të njërës mushkëri. Ka pasur raste që pacientët janë paraqitur në spitalin tonë pas 3 muajsh të aspirimit të trupit në mushkëri.
Statistikat
Në Shërbimin O.R.L paraqiten çdo vit rreth 500 raste me dyshimin se kanë trup të huaj në oraganizëm dhe nga këta, diagnostikohet realisht prezenca e trupit të juaj në më pak se 1/3 e rasteve. Nga këto raste 60% e zënë moshat pediatrike dhe 40% të rriturit. Të gjitha këto raste të paraqitura në spitalin tonë janë të zgjidhura dhe pacientët gëzojnë shëndet të plotë.
Këshilla
Si të rriturit për veten e tryre ashtu edhe për fëmijët duhet të tregojnë një kujdes të veçantë. Parandalimi i këtyre rasteve është shumë i rëndësishëm duke ditur rrezikun që mund të shkaktojnë trupat e huaj në organizëm. Aspirimi apo gëlltitja e trupave të huaj te fëmijët vjen si pasojë e konsumimit të ushqimeve jo të përshtatshme për moshën e tyre dhe e moskujdesit nga ana e prindërve për rastin e objekteve jorganike. Fëmijët nga 0-3 vjeç duhet të konsumojnë ushqime të caktuara dhe të luajnë me lodra të përshtatshme për moshën e tyre. Këta fëmijë nuk duhet të konsumojnë ushqime të vogla dhe/apo të forta si farat, karamelet, rrushi, lepirëset apo të luajnë me lodra që ndahen në pjesë të vogla, të cilat fëmija mund t’i fusë lehtësisht në gojë dhe që nuk janë të rekomanduara për këtë moshë. Edhe lodrat e përshtatshme për moshën 0-3 vjeç nëse thyhen, duhet t’i hiqen fëmijës. Në rrobat e fëmijëve të kësaj moshe nuk duhen mbajtur as aksesor të cilët janë të kapërcyeshëm.
Edhe për kategorinë nga 3-5 vjeç ka lodra që nuk duhen përdorur nga kjo kategori, madje edhe për fëmijët deri në 8 vjeç. Në këto mosha duhet pasur kujdes edhe me mjetet shkollore ku, psh kapaku i stilolapsit është shumë i rrezikshëm. Këta fëmijë duhen edukuar që mos të fusin gjë në gojë, që nuk është ushqim.
Ndërkohë për të rriturit duhet patur kujdes në përtypjen e mishit si dhe protezat e dhëmbëve, gjë të cilat kërkojnë një edukatë orale dhe nutricionale, që do të thotë që dhëmbët të jenë të shëndetshëm dhe ushqimi mos të konsumohet me nxitim.
Manovrat e shpejta të shpëtimit të jetës
Manovra Heimlich është ndihma e shpejtë që mund t’i japim një fëmije apo të rrituri që mbytet nëpërmjet kapërcimit të një trupi të huaj. Kjo manovër ndryshon nga fëmijët e vegjël te të rriturit. Fëmijët e vegjël kthehen me kokën poshtë dhe goditen në kurriz (si në foto) për të nxjerrë sendin apo ushqimin. Ndërkohë i rrituri kapet nga pas dhe me duar i ngjeshet pjesa e stomakut.