Unifikohet orari i vizitorëve në shërbimet klinike të QSUT

05/03/2014

Orari i vizitave pranë shërbimeve të Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” është unifikuar.

Mbrojtja e pacientit, si tek ata me imunitet të ulur për shkak të sëmundjeve të rënda, nga mikrobet dhe viruset që mund të transportohen nga vizitat e familjarëve, është pjesë e misionit kryesor së QSUT.

Kjo merr përparësi veçanërisht në shërbimet e Onkohematologjisë dhe Onkologjisë (ku trajtohen sëmundje si leuçemitë, llojet e ndryshme të kancerit, nëpërmjet kimioterapisë dhe rrezatimit).

Gjatë vizitave në spitale, familjarët (pa dashur) bëhen transportues të mikroorganizmave të bartur nga të afërmit e sëmurë që trajtohen në shërbimet e QSUT dhe për pasojë ndikojnë në përhapjen e infeksioneve të ndryshme tek të afërmit e tjerë që jetojnë në komunitet.

Për mirëfunksionimin e ofrimit të shërbimit mjekësor pranë qendrës terciare më të madhe në vend, u vendos unifikimi i orarit.

  • Ulja e shpenzimeve të trajtimit spitalor nëpërmjet parandalimit të infeksioneve nozokomiale për të sëmurët e operuar në shërbimet kirurgjikale të QSUT);
  • Respektimi i qetësisë së të sëmurëve aq të domosdoshme për përmirësimin e shpejtë të gjendjes së tyre shëndetësore; Kjo arrihet duke shmangur bisedat e panevojshme dhe vizitat e shpeshta;
  • Ruajtja me rreptësi e parametrave të higjienës dhe asepsisë për parandalimin e infeksioneve në mjediset spitalore;
  • Parandalimi ose ulja e numrit të qytetarëve që mund të preken nga përhapja e infeksioneve të mundshme virale;
  • Kontrolli i fluksit të qytetarëve që vizitojnë të afërmit në spitale do të thotë parandalim i përhapjes dhe prekjes nga sëmundje infektive si: Gripi i Derrit, Hepatiti, Dizanteria, Malarja etj.

Duke unifikuar orarin ne jo vetëm mbrojmë pacientin, por kemi dhe përfitime të tjera po kaq të rëndësishme.

Orari i vizitave përgjatë gjithë javës do të jetë:

Dita Orari i Vizitave
E hënë – E premte 17:00 – 19:00
E shtunë – E djelë 10:00 – 12:00
17:00 – 19:00
Posted in Lajme by admin qsut