Zbatimi i Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes QSUT dhe QKUK për Kardiokirurgjinë

25/01/2015

Operimi i suksesshëm i dy pacientëve kosovarë, një hap i rëndësishëm për fillimin e implementimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes QSUT dhe QKUK.

Ndërhyrjet janë realizuar në Klinikën e Kardiokirurgjisë QKUK nga ekipi i kardiokirurgëve të Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës (QSUT) dhe stafit mjekësor  të Klinikës së Kardiokirurgjisë së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes tyre.

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani dhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, vizituan sot Klinikën e Kardiokirurgjisë me rastin e operimit të dy pacientëve nga ekipi i kardiokirurgëve të Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës (QSUT) dhe stafit mjekësor  të Klinikës së Kardiokirurgjisë së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit që kanë mes tyre.

Ministri Rrahmani tha se operimi i suksesshëm i dy pacientëve kosovarë është një hap i rëndësishëm për fillimin e implementimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit në mes QKUK-së dhe QSUT-së.

“Jemi të angazhuar maksimalisht që Kardiologjia Invazive dhe Klinika e Kardiokirurgjisë të funksionalizohet sa më shpejtë, si dhe këto shërbime t’u ofrohen qytetarëve tanë. Marrëveshja  mes dy qendrave tona luan rol të rëndësishëm në ofrimin e shërbimeve në Klinikën e Kardiokirurgjisë, por edhe në përcjelljen  e përvojave tuaja profesionale tek kardiokirurgët e rinj kosovarë”, tha ministri Rrahmani.

Ambasadori Minxhozi tha se, është shumë e rëndësishme ngritja e kapaciteteve profesionale kardiokirurgjike në QKUK.

“Përkrahja e Republikës së Shqipërisë nuk do të mungojë në asnjë rast aty ku shihet e nevojshme për shëndetësinë kosovare. Ne njohim për gjendjen aktuale të kësaj klinike dhe në bazë të marrëveshjes që kemi, do të jemi bashkudhëtarë në procesin e funksionalizimit së këtij shërbimi”, tha ambasadori shqiptar Minxhozi.

 

Posted in Lajme by admin qsut